Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, zhvilloi një takim pune me ambasadoren e Holandës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e Saj Ozlem Xhanel (Özlem Canel). Në takim ishte e pranishme edhe Këshilltarja për Komunitetin dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Besa Arifi.
Gjatë takimit, Rektori Ibraimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Ambasada dhe Mbretëria e Holandës i kanë dhënë universitetit ndër vite, duke theksuar rolin kyç të qeverisë holandeze në themelimin dhe zhvillimin institucional të UEJL-së.
“Universiteti ynë është histori suksesi i bashkësisë ndërkombëtare dhe në radhë të parë, i qeverisë holandeze”, theksoi Rektori Ibraimi, duke vënë në pah kontributin strategjik të partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin e një modeli unik të arsimit të lartë në vend.
Në kontekst të zhvillimeve aktuale në arsimin e lartë, Rektori nënvizoi se prioritet i universitetit mbetet ruajtja e statusit “sui generis” brenda sistemit të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, si një model i veçantë i themeluar mbi parimet e multietnicitetit, autonomisë akademike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai, shtoi se, UEJL vazhdon të mirëpresë diplomatë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, me të cilët ka ndërtuar partneritete të qëndrueshme dhe përkrahje të vazhdueshme.
Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për projekte konkrete që aktualisht janë në realizim, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët akademik dhe zhvillimor.
Rektori Ibraimi informoi ambasadoren Xhanel edhe për përgatitjet që po bëhen për shënimin e 25-vjetorit të themelimit të universitetit, jubile që do të festohet gjatë këtij viti dhe që pritet të shënohet me aktivitete të shumta akademike dhe institucionale.
Të dy palët u pajtuan se UEJL përfaqëson një model të veçantë dhe të suksesshëm të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë në rajon, që arriti jo vetëm të jetë i qëndrueshëm edhe pas shterjes së fondeve ndërkombëtare, por edhe u zhvillua si në rritje akademike, sasiore dhe aq më tepër edhe në rritjen e cilësisë sistemore, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch




