Londër – Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, realizoi një vizitë pune në Londër, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve dhe kompanive ndërkombëtare me qëllim forcimin e bashkëpunimit global në fushën e arsimit, teknologjisë dhe inovacionit.
Gjatë qëndrimit të tij në ambientet e Global UBT London, një nga qendrat kryesore të ekosistemit ndërkombëtar të UBT-së, Prof. Dr. Hajrizi diskutoi mundësitë e zgjerimit të partneriteteve strategjike dhe krijimin e iniciativave të reja që do të kontribuojnë në zhvillimin e arsimit të avancuar dhe transformimit digjital në nivel ndërkombëtar.
Takimet u fokusuan në shkëmbimin e përvojave, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe promovimin e shërbimeve dhe produkteve inovative të Global UBT në tregjet ndërkombëtare. Përfaqësues nga vende të ndryshme të botës shprehën interesim për bashkëpunim me UBT-në në fusha që lidhen me teknologjitë e reja, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e ekosistemeve të inovacionit.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të kësaj vizite ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi me partnerë nga India. Kjo marrëveshje synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, duke kontribuar në rritjen e produktivitetit shkencor, akademik dhe inovativ.
Sipas përfaqësuesve të UBT-së, bashkëpunimi i ri pritet të sjellë shkëmbim ekspertize, zhvillim të platformave të avancuara teknologjike dhe implementim të zgjidhjeve inovative që do të ndikojnë pozitivisht në proceset akademike dhe kërkimore. Vizita e Prof. Dr. Edmond Hajrizit në Londër konsiderohet një hap i rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të UBT-së, duke forcuar praninë e institucionit në qendrat globale të inovacionit dhe duke krijuar ura të reja bashkëpunimi me partnerë nga e gjithë bota, transmeton UBT, përcjell helveticALForum.ch.




