Real Madridi ka regjistruar fitoren e tetë radhazi në La Liga, duke triumfuar 2-0 ndaj Valencias në stadiumin “Mestalla”, në një ndeshje të vështirë dhe me intensitet të lartë.
Me këtë sukses, “Los Blancos” janë rikthyer vetëm një pikë larg Barcelonës kryesuese, duke mbajtur gjallë garën për titullin kampion. Pas fitores së katalanasve ndaj Mallorcës një ditë më parë, madrilenët hynë në fushë nën presionin e rezultatit, por arritën ta përballojnë me sukses.
Valencia, e përfshirë në luftën për mbijetesë, u mbrojt me disiplinë dhe e vështirësoi dukshëm lojën për mysafirët. Në pjesën e parë, Real Madridi krijoi disa raste të pastra shënimi, kryesisht përmes Kylian Mbappé, por portieri Stole Dimitrievski u tregua vendimtar me pritje të shkëlqyera.
Edhe pjesa e dytë nisi me ekuilibër, derisa në minutën e 65-të Alvaro Carreras zhbllokoi rezultatin. Mbrojtësi depërtoi në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi golin e avantazhit për madrilenët. Valencia reagoi menjëherë dhe ishte shumë pranë barazimit, por gjuajtja e Lucas Beltrán u ndal nga shtylla.
Në minutat shtesë, Kylian Mbappé vulosi fitoren e Real Madridit duke shënuar golin e dytë, i cili ishte edhe i 38-ti për të në të gjitha garat këtë sezon.
Edhe pse nuk ishte një paraqitje spektakolare, skuadra e drejtuar nga Alvaro Arbeloa vazhdon ecurinë perfekte në kampionat, duke fituar katër ndeshjet e zhvilluara nën drejtimin e tij. Real Madridi mbetet në ndjekje të Barcelonës, duke synuar titullin e 37-të kampion në histori.
Në anën tjetër, Valencia vazhdon të jetë në zonën e rrezikshme të tabelës, vetëm një pikë mbi vendet që çojnë në rënie nga liga, ndërsa kjo ishte humbja e tretë radhazi për ta në të gjitha garat, transmeton rtk.




