POSTIMET E FUNDIT

Rasti tragjik në Austri, flasin nga Policia e Vjenës – Këta janë viktimat, shtetas të Kosovës

Presidentja e vendit,  Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre bashkatdhetarëve që humbën jetën tragjikisht, në vendin e punës në Austri. Osmani tha se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë.

Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave.

Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.

I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”.  Katër punëtorë kanë humbur jetën tragjikisht gjatë ditës së djeshme në një kantier ndërtimi në Vjenë, Austri.

Lidhur me këtë rast të rëndë, Policia e Vjenës ka dhënë deklaratë për klanin. Përmes një përgjigjeje zyrtare, policia konfirmon se tre nga viktimat janë shtetas të Kosovës.

“Tre punëtorë të ndërtimit janë identifikuar si shtetas të Kosovës,” deklaroi zëdhënësi Phillip Hasslinger. Ai shtoi se arsyet e këtij aksidenti janë ende të paqarta.

Viktimat janë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj. Ambasada e Kosovës në Austri ka njoftuar se është konfirmuar se tre nga katër viktimat në aksidentin  në Austri janë shtetas të Kosovës.

Tre të vdekurit në këtë aksident janë, Istref Zekaj, Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) “Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake, si dhe me familjarët e viktimave, me qëllim të ofrimit të mbështetjes së nevojshme dhe koordinimit të mëtejmë për të gjitha procedurat përkatëse. Në këto momente të rënda, shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e viktimave”, thuhet në njoftimin e ambasadës në Facebook./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB