Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se një prej valleve më të njohura dhe përfaqësuese të trevave shqiptare është përfshirë zyrtarisht në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Vendimi merr një rëndësi të veçantë për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës popullore ndër breza.
“Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë,” bëri të ditur kryeministri përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
Lidhja e kësaj valljeje me historinë kombëtare konsiderohet e fortë, pasi ajo përfaqëson një nga traditat më të spikatura artistike të zonës së Konispolit dhe mbarë trevës çame, duke u mbështetur në figurën historike të luftëtarit Osman Taka.
“Simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza,” nënvizoi Rama në reagimin e tij.
Sipas kryeministrit, veçantia e kësaj koreografie qëndron te harmonizimi i forcës fizike me elegancën.
“E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, ajo ndërthur forcën dhe elegancën, duke shprehur trimërinë, sakrificën, solidaritetin dhe shpirtin e lirë,” përfundoi kryeministri, transmeton rtsh.










