
Nga Beqir Sina, New York
Slideshow(Photos) – https://youtu.be/hKOgeuWEIKk?is=aONYJQ_PmDWgsfej
UN New York : Mbrëmë të martën, 22 shtator, para selisë së Kombeve të Bashkuara, qindra shqiptaro-amerikanë, u mblodhën në një protestë të madhe paqësore.
Në Dag Hammarskjöld Plaza, në orën 18:00, pjesëmarrësit ngritën zërin kundër vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Kjo protestë u ideua dhe u realizua si iniciativë e Drenica Perashit, Ervin Toros, Shpetim “Tim” Qorrajt dhe të gjithë të tjerëve që morën përsipër të bashkojnë komunitetin shqiptar të zonës së Tri-Shtetit.
Protestuesit mbanin flamujt e UÇK-së, Shqipërisë, Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa ngritën zërin dhe qëndruan për atë që besojnë, duke dhënë kontributin e tyre.
Kontribut të veçantë në këtë protestë, që ishte më e madhja e dy dekadave të fundit, dha edhe Batalioni Atlantiku, me komandantin Gani Shehun dhe pjesëtarët e këtij batalioni, i njohur ndryshe si UÇK-ja e Amerikës, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik për të luftuar për liri dhe për të sjellë pavarësinë e Kosovës, së bashku me të gjithë ushtarët e tjerë të UÇK-së.
Që kur u dha vendimi në Hagë, kjo është protesta e tretë e këtij lloji në New York pas shpalljes së dënimeve më 16 shtator.Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Protestuesit, duke hedhur slogane, i quajnë këto dënime politike dhe kërkuan drejtësi për ata që mbrojtën lirinë e Kosovës.
Në ndërkohë në sheshin para ndërtesës së OKB-së valonin flamujt e Shqipërisë, Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Postera dhe pankarta të mëdha që shfaqnin mesazhet:
Lironi herojtë tanë-Liri për çlirimtarët tanë-Liria ka emër-Ku janë kriminelët që masakruan 45 civilë në Reçak?-Ku janë kriminelët që masakruan 19 anëtarë të familjes Imeraj në Pëmishtë?-Ku janë kriminelët që masakruan 147 civilë-Ku janë përgjegjësit për masakrën e 99 të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës në Istog?-Kujtoni viktimat e krimeve të luftës serbe-UÇK-ja përfaqëson një nga kapitujt më të ndritshëm të historisë së Kosovës.
Jo më emrin tim!
Drejtësi, jo politikë-Për të vërtetën. Për drejtësinë. Për paqen.Liria jonë nuk është krim!Liri për çlirimtarët e UÇK-së
Në mesin e panakrtave binte në sy pankarta e shkruar me dorë nga një i ri : 14 maj 1999 – Masakra e Qyshkut në Kosovë-Unë isha 7 vjeç dhe mbijetova horrorin.
Atmosfera ishte e ndezur, por e vendosur dhe dinjitoze.
Shumë prej protestuesve theksuan se ky shesh ka qenë prej dekadash vendi ku shqiptarët e Amerikës, të cilët kanë protestuar kundër padrejtësive dhe për çlirimin e Kosovës. Kurse, sot, mesazhi i tyre mbetet i njëjtë: shqiptarët e Amerikës, kurrë nuk do të heshtin.
Fjalimet e shumta e forcuan këtë mesazh
Protestën e hapi Drenica Perashi, e cila lexoi me zë të fortë, e shoqëruar në kor nga qindra protestues, emrat e katër liderëve të UÇK-së që mbahen në Hagë, dhe “U.Ç.K/U.Ç.K”.
Uk Lushi – ish luftëtar i batalionit Atlantiku kërkojë protestuesve 1 minut heshteje.
Më pas folën Ervin Toro, Shpetim Qorraj, Gani Shehu, Shefki Mexhuani, vëllezërit Shpend e Qerim Gjocaj, Uk Lushi, Gjek Gjonlekaj, Xhemo Lanica dhe të tjerë.
Ata theksuan se vendimi i Hagës nuk prek vetëm katër individë, por gjithë historinë e luftës çlirimtare.
“Ne nuk kemi harruar shtëpitë e djegura, kolonat e refugjatëve, varret dhe të zhdukurit”, tha një nga folësit. “Liria jonë ka emra dhe ka sakrifica. Nuk pranojmë që politika të rishkruajë historinë tonë”.
Pjesëmarrësit kërkuan që apelimi të sjellë drejtësi dhe që kriminelët e vërtetë të masakrave, si ajo e Izbicës, të ndëshkohen.
Ata theksuan se UÇK-ja ishte ushtria e një populli që luftoi për liri dhe se dënimi i liderëve të saj dënon vetë shtetformimin e Kosovës.
Thirrjet “U.Ç.K” dhe “Liri për çlirimtarët” jehuan fuqishëm anembanë sheshit në Dag Hammarskjöld Plaza, përballë ndërtesës së OKB-së, për afro dy orë.
Protesta u zhvillua në kohën kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së po mbyllte punimet e ditës së parë të sesionit të 81-të.
Zëri i diasporës synonte të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare, të shtypit ndërkombëtar dhe të njujorkezëve.
Komuniteti shqiptaro-amerikan tregoi edhe një herë se mbetet i bashkuar dhe i vendosur sa herë që ta kërkojë nevoja, kur bëhet fjalë për çështjen mbarëkombëtare.
Flamujt, pankartat, iniciativat e organizatorëve dhe prania e veteranëve dëshmuan se kauza e lirisë vazhdon të jetë e gjallë.
Mesazhi i kësaj proteste të tretë, me pjesëmarrjen e qindra njerëzve, ishte i fortë dhe i qartë: Drejtësi për mbrojtësit e lirisë dhe respekt për historinë e një populli që pagoi me gjak për pavarësinë.
Në fund të marshimit në sheshin e demonstratave të shqiptarëve të Amerikës në Dag Hammarskjöld Plaza, para OKB-së, pjesëmarrësit u larguan me ndjenjën se zëri i tyre ishte dëgjuar fort.
Ata premtuan se do të vazhdojnë të protestojnë paqësisht sa herë që të jetë e nevojshme për çështjen kombëtare.
New Yorku, kryeqendra e diplomacisë botërore, dëgjoi sërish zërin e mërgatës shqiptare që kërkon drejtësi, jo heshtje, për çlirimtarët.










