Mynih, Aachen, Lozanë dhe Malmö janë qytetet ku sot priten tubime të diasporës shqiptare në mbështetje të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Protesta në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së do të zhvillohen sot në disa qytete të Evropës, ka njoftuar iniciativa “Liria ka Emër”.
Sipas njoftimit të kësaj iniciative, tubimet do të mbahen në Mynih dhe Aachen të Gjermanisë, si dhe në Lozanë të Zvicrës dhe Malmö të Suedisë. Organizatorët kanë bërë të ditur se në këto protesta pritet të marrin pjesë qytetarë nga diaspora shqiptare, të cilët synojnë të shprehin mbështetjen e tyre për ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Në Mynih, protesta do të mbahet me moton “Jo në emrin tim!” dhe është paraparë të nisë në orën 17:30, në Geschwister-Scholl-Platz.
Ndërkohë, në Aachen tubimi do të zhvillohet nga ora 14:00 deri në 17:00. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës dhe të shprehin qëndrimin e tyre në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Tubime janë paralajmëruar edhe në Lozanë të Zvicrës dhe Malmö të Suedisë, ku pritet pjesëmarrja e anëtarëve të komunitetit shqiptar nga diaspora.
Protestat zhvillohen në një kohë kur çështja e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe proceset gjyqësore ndaj tyre vazhdojnë të jenë temë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Kosovë dhe diasporë./BS










