Po mbahen sot në Hagë deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.
Prokurori Joshua Hafetz deklaroi se Hashim Thaçi ka pasur shënjestër dëshmitarët të cilët përbënin rrezik ose kanosje për të. Sipas prokurorit, Thaçi ka përdorur 4 të akuzuarit e tjerë me qëllim arritjen e synimit të tij. Prokurori argumentoi se deklaratat e tij do të mbështeten me prova.
“Synimi ishte që secili prej këtyre kërcënimeve të neutralizohej me qëllim që Thaçi t’i shmangej drejtësisë. Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisnin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.
Më tej, prokurori Hafetz akuzoi Thaçin për shkelje të rregullave të paraburgimit dhe konfidencialitetit të DhSK-së, sepse sipas tij, ai e shndërroi atë në “qendër të pengimit”.
Pesë të akuzuarit nga ana e tyre, pasi janë pyetur nga gjykatësi, kanë hedhur poshtë akuzat duke u deklaruar të pafajshëm.
Në fillim të seancës, Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjatë shpalosjes së aktakuzës, e ngarkoi Hashim Thaçin me 11 pika për kryerje të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.
Prokuroria tha se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike. Sipas prokurorisë, Thaçi ka tentuar të pengojë persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ka shkelur fshehtësinë e procedurës dhe akuzohet për mosbindje ndaj gjykatës.
Edhe tre të akuzuarit e tjerë, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu, ngarkohen me akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Hajredin Kuçi, në anën tjetër, akuzohet për dy pika të veprës penale të mosbindjes ndaj gjykatës.
Përveç audioincizimeve, Prokuroria ka paralajmëruar se do të paraqesë edhe prova elektronike, përfshirë të dhëna nga telefonat mobilë të sekuestruar, të cilat, sipas Prokurorisë, konfirmojnë bisedat e incizuara të të akuzuarve, si dhe prova fizike, përfshirë dokumente që lidhen me vënien në shënjestër të dëshmitarëve për ndërhyrje, të cilat u konfiskuan në vendbanimet e disa prej të bashkakuzuarve.
Tre dëshmitarë të Prokurorisë janë planifikuar të japin dëshmi gjatë gjykimit, përfshirë dëshmi ekspertësh në lidhje me prejardhjen e dokumenteve të sekuestruara dhe një dëshmitar që do të dëshmojë lidhur me ekzaminimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara gjatë hetimit.
Gjyqtari i Dhomave të Specializuara në Hagë, Christopher Gosnell, sipas RTK-së, tha se dëshmitarët duhet t’i përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars, ndërsa argumentet mbyllëse pritet të paraqiten më 13 mars.
Pas përfundimit të kësaj pjese, ZPS do të vendosë për datën që do të përmbyllë gjithë procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, transmeton rtsh.




