Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur për nesër, e mërkurë, më 11 shkurt 2026, nga ora 12:00, seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, duke marrë parasysh urgjencën për krijimin e institucioneve të reja shtetërore pas zgjedhjeve.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Presidentes, thirrja e seancës konstituive vjen në një moment kyç për funksionalizimin e institucioneve, miratimin e buxhetit të shtetit, si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në seancën konstituive pritet të bëhet betimi i deputetëve të rinj dhe të hapet rruga për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si hap i parë drejt formimit të Qeverisë së re të Kosovës, transmeton rtk.




