Në Kosovë, ligji parasheh mundësinë e dhënies së shtetësisë me dekret presidencial për persona që kanë dhënë kontribut të veçantë për vendin. Megjithatë, nga Presidenca është bërë e ditur se presidentja Vjosa Osmani nuk do të nënshkruajë asnjë dekret të ri për shtetësi deri në përfundim të mandatit të saj.
Sipas kabinetit të presidentes, çdo kërkesë eventuale për shtetësi përmes dekretit presidencial që mund të jetë paraqitur gjatë këtij viti do të trajtohet nga presidenti i ardhshëm.
“Çdo kërkesë që mund të ketë ardhur sivjet do të duhet të trajtohet nga presidenti i ardhshëm. Presidentja e ka njoftuar tashmë administratën që nuk do të shqyrtojë asnjë kërkesë të re për shtetësi dhe se nuk planifikon të nënshkruajë dekrete të reja”, kanë bërë të ditur nga Kabineti i Presidentes.
Sipas Kushtetutës, presidenti i vendit ka kompetencë diskrecionale për t’u dhënë shtetësinë personave të huaj që vlerësohet se kanë ndikim të rëndësishëm në interes të shtetit, në ekonomi, sport, kulturë apo në fusha të tjera profesionale.
Avokati Artan Qerkini shpjegon se fitimi i shtetësisë përmes dekretit presidencial nuk është proces automatik, por kërkon përmbushjen e disa kritereve ligjore dhe rekomandimin e një institucioni.
“Shtetësia jepet vetëm për persona që janë të rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe që kontribuojnë në kulturë, sport, shkencë ose në përgjithësi si persona me arritje të veçanta. Nuk jepet automatikisht; kërkohet një institucion që paraqet kërkesën, ndërsa më pas është në diskrecion të plotë të presidentit nëse do ta nënshkruajë dekretin”, tha Qerkini.
Ai shton se në këtë proces përfshihen edhe institucionet e sigurisë, të cilat vlerësojnë integritetin dhe rrezikun e mundshëm që mund të paraqesë një person për shtetin.
“Këtu përfshihen institucionet e sigurisë, të cilat nuk shqyrtojnë kushtet ligjore, por vlerësojnë nëse personi paraqet rrezik për Republikën e Kosovës. Nëse konstatohet se nuk ka rrezik, atëherë presidenti vlerëson plotësimin e kushteve ligjore për dhënien e shtetësisë”, tha ai.
Ndër vite, shtetësinë e Kosovës me dekret presidencial e kanë fituar disa personalitete të njohura ndërkombëtarisht që kanë kontribuar në afirmimin e vendit. Njëri ndër ta është edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, i cili gëzon famë botërore në letërsi, transmeton rtk.




