9.3 C
Zurich
Wednesday, February 11, 2026
spot_img
spot_img

Presidentja Osmani mbështet Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”

Duhet ti lexosh

Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, janë pritur sot në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për të diskutuar organizimin e Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në Ditën e Pavarësisë.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, mbrojtjes së vlerave të luftës çlirimtare dhe përgjegjësisë institucionale e shoqërore për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj. Sipas pjesëmarrësve, këto parime përbëjnë themelin e shtetit dhe të identitetit kolektiv.

Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e saj për këtë iniciativë qytetare, duke e cilësuar atë si një angazhim në mbrojtje të vlerave kombëtare. “E mbështes këtë iniciativë qytetare. Vlerat kombëtare dhe ato të luftës për liri duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj si pjesë të krenarisë sonë kolektive,” u shpreh ajo.

- Reklama -

Nga ana e saj, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha, theksoi se mbështetja institucionale dhe shoqërore që po merr marshi dëshmon karakterin e tij qytetar dhe gjithëpërfshirës. “Ky marsh është një thirrje për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ruajtjen e dinjitetit të historisë sonë. Kur institucionet dhe qytetarët flasin me një zë për drejtësi, mesazhi bëhet më i fuqishëm,” deklaroi Hoxha.

Edhe Ismail Tasholli vuri në pah simbolikën e 17 Shkurtit si një datë që bashkon qytetarët rreth vlerave themelore të shtetit. “Ne besojmë se drejtësia duhet të jetë e ndarë nga politika dhe në shërbim të së vërtetës. Më 17 shkurt, qytetarët do të japin një mesazh të qartë për unitet, dinjitet dhe respekt për sakrificën e lirisë,” tha ai.

Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Presidenten e Republikës për pritjen dhe mbështetjen, duke u bërë thirrje qytetarëve që më 17 shkurt të bashkohen në Prishtinë për marshin me moton “Drejtësi, jo politikë”. Sipas organizatorëve, marshi synon të jetë një manifestim paqësor dhe gjithëpërfshirës, në shërbim të drejtësisë dhe të vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, transmeton rtk.

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme