BallinaDiasporaPjesëmarrje madhështore në Muzeun Salinas ( Itali), për prezantimin e vëllimit “Kënga...

Pjesëmarrje madhështore në Muzeun Salinas ( Itali), për prezantimin e vëllimit “Kënga e Dashurisë”

-

Një takim kushtuar Shën Françeskut të Asizit në tetëqindvjetorin e vdekjes së tij

Palermo – Më 16 tetor në Muzeun Arkeologjik Rajonal “Antonio Salinas” të Palermos, u regjistrua pjesëmarrje madhështore me rastin e prezantimit të vëllimit Kënga e Dashurisë. Në gjurmët e Françeskut, nga Fjala te Misteri, përgatitur nga Franca De Santis, nën koordinimin shkencor të Pierfranco Brunit dhe botuar nga shtëpia botuese Edizioni Solfanelli.

Nisma, e përfshirë në kalendarin e kremtimeve kombëtare për tetëqindvjetorin e vdekjes së Shën Françeskut të Asizit (1226–2026), u organizua nga Shoqata Kombëtare e Këmbësorisë “Mbrojtja Civile dhe Mjedisore ODV Sicilia”, e kryesuar nga dr. Vincenzo Nuccio, dhe nga E.R.A.P., e kryesuar nga dr. Giovanni Arcuri.

Veprimtaria u zhvillua nën patronazhin e Departamentit të Kulturës të Bashkisë së Palermos, të Delegacionit të Siçilisë të Urdhrit të Shenjtë Ushtarak Kostandinian të Shën Gjergjit, të Akademisë Tiberina, të Akademisë së Siçilisë, të Shoqatës Lympha, të Muzeut Salinas, të institucioneve françeskane të Palermos, si Biblioteka Françeskane dhe Parku i Vëllazërisë, si edhe të Rotary Club Bagheria.

Takimin e hapi drejtori i Muzeut, arkitekti Giuseppe Parello, i cili falenderoi organizatorët që kishin zgjedhur një vend kaq domethënës për një veprimtari kulturore me vlerë të lartë simbolike. Në fjalën e tij, ai rikujtoi mesazhin e paqes të Françeskut, veçanërisht aktual në një botë që shpesh duket e shurdhër ndaj dialogut.

Dr. Vincenzo Nuccio, pas përshëndetjeve dhe falenderimeve institucionale, nënvizoi rëndësinë e vendit të zgjedhur, duke sjellë në kujtesë sheshet e lidhura me historinë e dy figurave të mëdha: Frederikut II dhe Françeskut. Kështu, agora e kompleksit historik monumental u shndërrua në një hapësirë reflektimi.

Vëllimi është një vepër kolektive që përmbledh kontributet e 26 autorëve, akademikë, gazetarë, teologë dhe klerikë, të angazhuar për ta rilexuar figurën e Françeskut përmes këndvështrimeve letrare, teologjike, filozofike, antropologjike dhe mistike.

Takimin e moderoi avokatja Rosa Maria Sciortino, presidente e Rotary Club Bagheria. Reflektimin shkencor e hapi prof. Antonietta Micali, drejtore e Departamentit të Letërsisë të Akademisë Tiberina, e cila përcolli gjithashtu përshëndetjet e presidentit të Akademisë, kalorësit dr. Franco Antonio Pinardi.

Në fjalën e saj, ajo ilustroi vlerën e veprës, duke u ndalur te strategjia komunikuese e Këngës së vëlla Diellit, te shtrirja e saj teologjike dhe te krahasimi letrar me Pablo Nerudën. Ajo theksoi gjithashtu vlerën pedagogjike dhe terapeutike të modelit françeskan, i cili është në gjendje t’i edukojë brezat e rinj me ndjenjën e mrekullisë dhe me pranimin e brishtësisë.

Kuratorja Franca De Santis, presidente e Entit Kombëtar për Veprimtaritë Kulturore dhe e Çmimit Letrar “Toka e Etërve”, mori pjesë në distancë, pasi nuk mundi të udhëtonte drejt Palermos për shkak të një greve të transportit rrugor. Në përshëndetjen e saj, ajo deklaroi:

“Ky libër ka lindur për ta çliruar Françeskun nga retorika. Nuk është një përkujtim i thjeshtë, por një pyetje e gjallë. Në një epokë të shënuar nga luftërat dhe kriza e fjalës, Kënga e Dashurisë ruan një aktualitet tronditës.”

Veçanërisht domethënëse ishte fjala e klerikut Gesualdo Ventura, drejtor i Bibliotekës Françeskane të Palermos. Ai rikujtoi vizionin e Françeskut për botën, i cili e njihte krijimin si dhuratë të Zotit dhe u drejtohej krijesave duke i quajtur “vëlla” dhe “motër”.

Në Këngën e Krijesave, lavdërimi drejtuar diellit, hënës, ujit, zjarrit dhe madje edhe vdekjes shpreh një ndjenjë të thellë lidhjeje me natyrën, duke e bërë shenjtorin një figurë referimi edhe për reflektimin bashkëkohor mbi ekologjinë dhe qëndrueshmërinë.

Imzot Michele Pennizi, kryepeshkop emeritus i Monreales dhe Kryeprior për Siçilinë i Urdhrit të Shenjtë Ushtarak Kostandinian të Shën Gjergjit, vuri theksin te angazhimi i palodhur i Françeskut për paqen ndërmjet njerëzve, popujve dhe feve.

Ai rikujtoi takimin e famshëm të shenjtorit me sulltanin al-Malik al-Kamil gjatë kryqëzatave, si një shembull dialogu dhe respekti të ndërsjellë që vazhdon të frymëzojë bashkëbisedimin ndërfetar.

Gjatë takimit u theksua se shpirtërimi françeskan mbështetet në një vizion pozitiv për jetën dhe krijimin. Françesku e kërkonte Zotin në çdo gjë dhe në çdo rrethanë, duke i ftuar njerëzit të jetonin me gëzim, thjeshtësi dhe dashuri.

Lutja dhe heshtja e shoqëronin jetën e tij, pa e ndarë besimin nga angazhimi konkret, veçanërisht pranë të varfërve dhe të vobektëve. Ky është një mesazh që vazhdon t’u flasë të gjithë atyre që kërkojnë paqen, drejtësinë dhe një marrëdhënie harmonie me natyrën.

Me shumë interes u prit edhe fjala e nënsekretarit të Ministrisë së Kulturës, deputetit Giampiero Cannella, i cili përcolli përshëndetjet e ministrit, si edhe përshëndetjen e tij personale.

“Kur një institucion si Muzeu Salinas hap dyert për një vëllim të kësaj rëndësie, përmbushet vetë misioni i ministrisë: kultura duhet të jetë një përvojë e jetuar dhe jo vetëm diçka që ruhet. Figura e Françeskut është trashëgimi e të gjithë italianëve. Të kremtosh këtu, në Palermo, 800-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta do të thotë të ritheksosh se Jugu nuk është një periferi kulturore, por një laborator i vërtetë identiteti.”

Serinë e ndërhyrjeve e përmbylli këshilltari për Kulturën i Bashkisë së Palermos, dr. Antonio Rini, i cili vuri në dukje lidhjen e thellë historike ndërmjet qytetit dhe frymimit françeskan.

“Palermo ka qenë gjithmonë një qytet dialogu dhe mikpritjeje. Mesazhi i Shën Françeskut i drejtohet drejtpërdrejt historisë dhe identitetit tonë.”

(Përktheu: Angela Kosta)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ambasadori Kapiti në aktivitetin e organizuar nga Zvicra dhe Parlamenti britanik

0
Përgatiti Dashnim HEBIBI Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ka marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme diplomatike në Londër,...