Koreografi Sebastjan Tinaj i lindur dhe rritur në Vermosh, themeluesi i grupit të valleve “Nora e Kelmendit” dhe koleksionit etnografik “Arka e Kelmendit” rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, etnografisë dhe traditës shqiptare në New York përmes aktiviteteve kulturore, edukative, komunitare e patriotike. Me koreografin Sebastjan Tinaj bisedoi kryeredaktori i “Diellit” Sokol Paja.
“NORA E KELMENDIT” SI KONTRIBUT PËR VALLET DHE TRADITAT SHQIPTARE
Grupi “Nora e Kelmendit” u krijua në vitin 2018 me iniciativën time personale, por edhe me mbështetjen e shumë miqve dhe shokëve që kontribuan vullnetarisht. Jam thellësisht mirënjohës për ndihmën dhe besimin e tyre. Që në vitin e parë, grupi pati një sukses të madh në festivalet shqiptare, duke tërhequr interesin e të rinjve, por edhe të fëmijëve, që dëshironin të bëheshin pjesë e tij.
Në vitin 2022, u regjistruam zyrtarisht si grup vallesh në shtetin e New York-ut dhe prej atëherë vazhdojmë të ushtrojmë dhe të kultivojmë rregullisht vallet dhe traditat shqiptare. Pjesëmarrja jonë në ngjarje kulturore, por edhe në gëzime familjare, na motivon dhe na shtyn të punojmë edhe më fort, sepse vlerësimi i punës është gjithmonë një ndjesi e jashtëzakonshme.

Një nga pikat tona më të forta, përveç talentit, është kostumografia e kuruar me kujdes dhe zgjedhja e muzikës, të cilat pasqyrojnë identitetin tonë dhe i japin çdo performance një karakter autentik e të paharrueshëm. Deri më tani kemi marrë pjesë në aktivitete në të gjithë Amerikën dhe shpresojmë që në vitet në vijim të jemi të pranishëm edhe në ngjarje kulturore në Shqipëri, si festivale apo bashkime të shqiptarëve kudo në botë. Sot numërojme me shume 70 nxenes qe ushtrojne dhe mesojnë vallet e bukura shqiptare dhe smund te isha me i lumtur se kaq!
“ARKA E KELMENDIT” SI KONTRIBUT PËR ETNOGRAFINË SHQIPTARE NË MËRGIM
Etnografia shqiptare, veçanërisht xhubleta dhe çakshirët, ka qenë gjithmonë një pasion i hershëm për mua. Që nga ditët e para në grupet artistike, kur isha vetëm 6 vjeç, kam pasur një lidhje të pashpjegueshme me veshjet tradicionale dhe historinë që ato mbartin. Për shkak të kushteve ekonomike, nuk pata mundësinë të krijoja një koleksion të tillë gjatë kohës që jetova në Shqipëri.
Por pasi u vendosa në Shtetet e Bashkuara, vendosa t’i rikthehesha ëndrrës time dhe të ndërtoja një koleksion të mirëfilltë etnografik. Kështu lindi “Arka e Kelmendit” – një emër simbolik, i cili i referohet rrënjëve të mia, por që në përmbajtje mbledh veshje dhe bizhuteri pothuajse nga çdo krahinë e veriut shqiptar. Rinia shqiptare sot po i rikthehet traditës, dhe kjo rritje e interesit e ka shndërruar pasionin tim të dikurshëm në një punë me kohë të pjesshme. Fitimet që gjeneroj nga kjo veprimtari i dedikohen plotësisht zgjerimit të koleksionit, duke shtuar veshje, ornamente dhe elemente të reja etnografike.
PËRFAQËSUES I SHQIPËRISË NË FASHIONING POWER / FASHIONING PEACE GALA NË WASHINGTON D.C.
Prej disa vitesh, në bashkëpunim me Ambasaden Shqiptare dhe supermodelen Emina Cunmulaj, kam privilegjin të përfaqësoj Shqipërinë në Fashioning Power / Fashioning Peace Gala në Washington D.C. Çdo vit, në këtë event ku marrin pjesë mbi 100 shtete, ne prezantojmë me krenari thesarin e etnografisë shqiptare në një ekspozitë që i jep zë traditës dhe identitetit tonë.
Përveç drejtimit të grupit “Nora e Kelmendit” dhe angazhimit tim në koleksionin etnografik Arka e Kelmendit, kam pasur gjithashtu privilegjin të bashkëpunoj me disa shkolla shqipe në New York si koreograf. Kjo përvojë më ka rritur profesionalisht, por njëkohësisht më ka pasuruar shpirtërisht, sepse puna me brezin e ri të shqiptarëve në Amerikë është një ndjesi e veçantë dhe një përgjegjësi që e përqafoj me krenari.
KONTRIBUTI NË SHKOLLAT SHQIPE NË NEW YORK: “MËSO SHQIP” DHE “FOL SHQIP”
Për dy vite kam punuar pranë shkollës “Mëso Shqip” në Staten Island, e njohur edhe si grupi “Barbana”. Ndërsa nga shtatori i këtij viti jam bërë pjesë e stafit të shkollës “Fol Shqip” në Ridgewood, Queens, si koreograf i grupeve të vallëzimit. Është nder i madh për mua të kontribuoj, sado pak, në formimin, zhvillimin dhe organizimin e një brezi të ri që rritet me gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
Të shohësh fëmijët dhe të rinjtë që përqafojnë identitetin e tyre përmes artit është një motivim i vazhdueshëm dhe një frymëzim i jashtëzakonshëm. /Gdielli




