Deputetët e PDK-së e kanë lëshuar sallën pasi Vetëvendosje nuk ia votoi Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
Çitaku mori vetëm abstenime nga deputetët e VV-së. Por, paraprakisht, PDK-ja e votoi Ardian Golen e VV-së.
Nënkryetarët e Kuvendit pritet të votohen veç e veç
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se shefet e grupeve parlamentare kanë rënë dakord që nënkryetarët e Kuvendit të votohen veç e veç.
Propozimet për nënkryetar janë: Ardian Gola nga VV-ja, Vlora Çitaku nga PDK-ja e Kujtim Shala nga LDK-ja. Emilja Rexhepi dhe Sllavko Simiq janë nga komunitetet joshumicë.
Vazhdimi i seancës konstituive
Kuvendi i Kosovës pritet ta vazhdojë seancën konstituive, me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, e cila është paralajmëruar të fillojë në orën 11:00. Zgjedhja e nënkryetarëve mbeti pa u përfunduar në vazhdimin e seancës të mërkurën, pasi deputetët nuk arritën pajtim lidhur me mënyrën e votimit të kandidatëve.
Për këtë arsye, kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi që seanca të shtyhej për të premten.
LVV kërkon ndryshimin e kandidatëve, PDK e LDK kundërshtojnë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se pret gatishmëri nga PDK-ja dhe LDK-ja për të ndryshuar kandidatët e tyre për nënkryetarë të Kuvendit, por nga LDK-ja kanë bërë të qartë se nuk pranojnë kushtëzime për kandidaturën e Kujtim Shalës. Ndërkohë, PDK-ja vazhdon ta mbështesë kandidaturën e Vlora Çitakut.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se pret vullnet dhe gatishmëri nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për të ndryshuar propozimet e tyre për nënkryetarë të Kuvendit.
“Ndoshta kanë gjetë pak vullnet për me bërë zgjidhje kësaj krize. Të shohim…”, ka thënë Abrashi.
PDK-ja ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa LDK-ja Kujtim Shalën për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
LVV-ja ka bërë të ditur se nuk i ka votat për këta dy kandidatë, duke e lidhur qëndrimin e saj me deklarimet e tyre rreth një marrëveshjeje për çështjen e presidentit.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë të qartë se emri i Vlora Çitakut vazhdon të jetë propozimi i partisë për pozitën e nënkryetares së Kuvendit.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kundërshtuar kërkesën që partia e tij të ndryshojë kandidatin për nënkryetar.
Zemaj ka thënë se LDK-ja nuk funksionon me kushtëzime dhe se nuk pranon atë që e cilësoi si logjikë të LVV-së për t’i nënshtruar subjektet e tjera politike.
“Ne nuk funksionojmë me kushtëzime. S’jemi ata që e bllokojmë konstituimin. Mund t’i tejkalojmë ato që janë subjektive. Logjika e VV-së për t’i nënshtruar të tjerët, nuk kalon”, ka deklaruar Zemaj.
Kështu, përplasjet mes partive rreth kandidatëve për nënkryetarë po vazhdojnë, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një kompromis për tejkalimin e ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Kosovës do ta vazhdoj sot seancën konstituive, me pikën e rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Sipas njoftimit të Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun, vazhdimi i seancës do të nisë në orën 11:00, në sallën e seancave, transmeton rtk.










