POSTIMET E FUNDIT

Pasardhësi i Ismail Qemalit, Darling Vlora, sjell krenari dhe emocione në Preshevë dhe Bujanoc

Nga Dashnim HEBIBI

Një moment historik i paharrueshëm që bashkoi zemrat dhe shpirtin e shqiptarëve andej kufirit.

Preshevë, 27 mars, 2026 – Për herë të parë në historinë e Luginës së Preshevës, nga gjaku i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, një pasardhës i tij i madh, Darling Vlora, vizitoi këtë etni shqiptare. Së bashku me nipin e tij të dashur, Igli Vlora, dhe mikun tonë të ngushtë, Arsim Mulliqaj, ai përjetoi ajrin e pastër dhe shpirtin e veçantë të vëllezërve andej kufirit, që ruajnë me krenari traditat dhe historinë e tyre. Ishte një takim ku e tashmja dhe e shkuara u përqafuan, duke lënë tek të gjithë të pranishmit një ndjesi të paharrueshme. 

Screenshot

Ata u pritën me zemërgjerësi në restorantin e mrekullueshëm Boheme të Bujanocit, pronë e Dr. Dërgut Aliu, ku çdo copë bukë dhe çdo buzëqeshje pasqyronin mikpritjen me bukë e zemër. Atmosfera ishte e ngrohtë, plot gëzim dhe respekt, duke shprehur përkushtimin ndaj traditës shqiptare dhe dashurinë për vizitorët e shquar. Në këtë takim historik ishin të pranishëm edhe Hashim Deshishku, Rafet Ademi dhe Besart Dreshaj, duke i shtuar rëndësinë dhe solemnitetin ngjarjes. Z. Vlora u nderua me mirënjohje të veçantë nga kryetarja e Preshevës, znj. Ardita Sinani, dhe kryetari i Bujanocit, Arber Pajaziti.

Çdo përshëndetje, çdo fjalë respekti dhe çdo buzëqeshje krijoi një lidhje të thellë me historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar, duke lënë tek secili një emocion që nuk harrohet lehtë. Doktor Dërgut Aliu, me zemër të gëzuar dhe mikpritje të sinqertë, mirëpriti Z. Vlora, duke e bërë çdo moment të ndjerë si një përjetim unik dhe të paharrueshëm. Vizita në Tërnoc, ku shumë personalitete si Akademik Nexhat Daci, Komandant Lleshi, PhD. Llukman Halili, Skender Gashi, Shaip Kamberi, Prof. Dr. Nagip Arifi dhe shumë të tjerë kanë dhënë kontribut për shqiptarët, shtoi ndjenjën e krenarisë dhe reflektimit mbi trashëgiminë e çmuar që bashkon brezat. Kjo ditë mbetet një kujtim i jashtëzakonshëm – një bashkim i zemrave dhe shpirtit shqiptar, i mbushur me respekt, dashuri dhe krenari.

Momente të tilla tregojnë se tradita, mikpritja dhe dashuria për historinë shqiptare janë vlera të pakrahasueshme, që lidhin breza dhe mbajnë gjallë shpirtin e kombit.

P.S;

Më vonë do të lexoni rreth vizitës në Komunën e Preshevës dhe në Bujanoc. Dy ditë emocionesh të veçanta në Kosovë dhe Kosovën Lindore: homazhe tek lapidari i UÇPMB-së, pritje në Spitalin “Lindja” në Prishtinë, vizitë tek përmendorja e Ismail Qemalit, si dhe ndalesa në Podujevë e Mitrovicë. Kulmi ishte mbrëmja festive për 30-vjetorin e Spitalit “Lindja” dhe 40-vjetorin e punës së doktor Dërgut Aliut. Të gjitha këto do të publikohen në HelveticALForum, që ka përcjellë vizitën e z. Vlora gjatë qëndrimit të tij.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB