POSTIMET E FUNDIT

Partitë opozitare konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin konsultativ për zgjedhjet e reja parlamentare

Disa nga subjektet kryesore politike në Kosovë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin konsultativ të thirrur nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare. Takimi pritet të mbahet sot në orën 15:00 dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt organizimit të procesit të ardhshëm zgjedhor.

Përfaqësues të partive që deri më tani kanë qenë në opozitë, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë bërë të ditur se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Presidencës, duke sinjalizuar gatishmëri për të kontribuar në një proces të koordinuar institucional.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, konfirmoi pjesëmarrjen e subjektit të saj, duke theksuar se ftesa është pranuar dhe përfaqësuesit e partisë do të jenë të pranishëm në takim. “Po kemi marrë ftesë dhe marrim pjesë. Takimi mbahet në orën 15:00,” deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila në një deklarim të shkurtër bëri të ditur se kjo parti do të jetë pjesë e diskutimeve konsultative.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në këtë takim, ku do të përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Ardian Gjini. Pjesëmarrja e këtyre partive shihet si një sinjal pozitiv për arritjen e një konsensusi më të gjerë politik rreth organizimit të zgjedhjeve.

Takimi vjen pas një faze përgatitore të zhvilluar nga Presidenca, e cila ka koordinuar hapat me kryesuesin e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi. Në këto diskutime janë trajtuar çështje kyçe si afatet ligjore, përgatitjet administrative dhe garantimi i një procesi zgjedhor që përmbush standarde të larta profesionale dhe demokratike.

Ky takim konsultativ pritet të jetë vendimtar për përcaktimin e datës së zgjedhjeve dhe për harmonizimin e qëndrimeve ndërmjet akterëve politikë. Në një kontekst politik që kërkon stabilitet institucional dhe besim publik, organizimi i zgjedhjeve të reja konsiderohet një moment i rëndësishëm për të ardhmen demokratike të vendit.

Pritet që pas përfundimit të takimit të dalin më shumë detaje lidhur me datën e mundshme të zgjedhjeve dhe hapat e mëtejmë që do të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB