Nxënësit që po përfaqësojnë Kosovën në Gjermani kanë zhvilluar një ditë të parë të pasur me aktivitete, duke dëshmuar përgatitjen dhe aftësitë e tyre në komunikimin në gjuhën gjermane.
Qëndrimi i nxënësve kosovarë në Gjermani ka nisur me një program të ngjeshur aktivitetesh dhe prezantimesh. Në ditën e parë të përfaqësimit, ata u angazhuan në aktivitete të ndryshme pune, ku në fokus ishte prezantimi i ndërsjellë dhe komunikimi mes nxënësve. Paraqitjet e nxënësve kosovarë u pritën pozitivisht nga nikoqirët, të cilët i përgëzuan për përgatitjen, komunikimin dhe mënyrën e prezantimit. Vlerësimet dhe komplimentet e marra shërbyen edhe si një nxitje për nxënësit gjatë ditëve të tjera të qëndrimit në Gjermani.
Vizitë nga Konsulli i Kosovës në Shtutgart
Një moment i veçantë ishte edhe vizita e Konsullit të Kosovës në Shtutgart, z. Hamdi Bërbatovci, i cili takoi nga afër nxënësit dhe u njoh me aktivitetet e tyre. Gjatë takimit, konsulli vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe shprehu fjalë miradije për mënyrën se si ata po e përfaqësojnë Kosovën, veçanërisht për aftësitë e tyre në përdorimin e gjuhës gjermane.
Për nxënësit, kjo vizitë përbën një tjetër moment motivues në kuadër të qëndrimit të tyre në Gjermani, duke i inkurajuar që të vijojnë me të njëjtin përkushtim aktivitetet dhe prezantimet e tyre. Përmes këtyre aktiviteteve, nxënësit kosovarë po krijojnë mundësi të reja për shkëmbim përvojash, njohje të kulturave të ndryshme dhe forcim të komunikimit në gjuhën gjermane, ndërsa njëkohësisht përfaqësojnë vendin e tyre në një mjedis ndërkombëtar, njofton Gjimnazi Eqrem Çabej, përcjell helveticALforum.ch.










