POSTIMET E FUNDIT

“Nuk kemi kufij në zemër – jemi një”: Mesazhi i imamit bashkon shqiptarët në Zvicër për Fitër Bajram

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Kloten, 20 mars -2026 – Fitër Bajrami është festuar me madhështi edhe këtë vit nga komuniteti shqiptar në Zvicër, duke dëshmuar se kjo festë nuk është vetëm një rit fetar, por një moment i fuqishëm bashkimi, solidariteti dhe ruajtjeje e identitetit kombëtar. Festimi i Bajramit ka bërë që mijëra shqiptarë nga te gjitha trevat shqiptare të mbledhen së bashku edhe pse ështe ditë pune, duke përjetuar një atmosferë të ngrohtë, festive dhe të mbushur me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin.

Në Kloten, pranë Cyrihut, mbi 3,000 bashkatdhetarë nga të gjitha trevat u mblodhën në një sallë sportive të madhe për të kryer faljen e namazit të Fitër Bajramit. Prania e madhe e besimtarëve – burra, gra në vend të caktuar dhe fëmijë – tregoi jo vetëm përkushtimin ndaj fesë, por edhe dëshirën për të ruajtur lidhjet kombëtare dhe komunitare në diasporë. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe festive, plot me buzëqeshje, përqafime dhe urime të sinqerta midis të gjithëve.

Organizimi i këtij eventi madhështor u bë i mundur edhe sivjet nga përkushtimi i imamit Fahredin Bunjaku dhe nga ekipi i Xhamia Shtëpia e Paqes në Schwamendingen, i cili ka shërbyer si organizator kryesor i këtij manifestimi. Përveç menaxhimit të hapësirës dhe koordinimit të pjesëmarrësve, xhamia ka siguruar që çdo pjesëmarrës të ndihet i përfshirë dhe i respektuar, duke krijuar një ambient ku vlerat e unitetit, solidaritetit dhe respektit reciprok dolën në pah. Dhurata modeste edhe për të rriturit!

Ishte nje program i pasur me karakter fetar përveç atij për Fiter Bajram. Për shkak të numrit të madh të besimtarëve, edhe pse kemi dhjetëra xhami shqiptare në Cyrih dhe rrethinë, u përdorën edhe hapësira të tjera publike si salla sportive. Kjo praktikë është bërë e zakonshme gjatë festave të mëdha, pasi siguron që të gjithë të mund të falen në kushte të sigurta dhe dinjitoze. Ky bashkëpunim midis komunitetit dhe autoriteteve zvicerane dëshmon për respektin dhe mbështetjen që Zvicra i ofron komuniteteve fetare dhe kulturore të ndryshme. Një pjesë e veçantë e festës ishte shpërndarja e rreth 250 dhuratave për fëmijët, një iniciativë që solli gëzim të madh dhe krijoi një atmosferë të ngrohtë familjare. Kjo nismë u realizua falë mbështetjes së donatorëve dhe humanistëve të komunitetit, kësaj here nga Naim Sadiku, duke treguar se bashkëpunimi dhe solidariteti janë pjesë e pandashme e këtij komuniteti.

Në ligjëratën e tij, imami Fahredin Bunjaku përcolli një mesazh të fuqishëm dhe gjithëpërfshirës:

“Sot nuk kemi kufij mes shqiptarëve. Kufijtë na i kanë vendosur të tjerët, por ne nuk duhet t’i mbajmë në zemrat tona. Nuk ka rëndësi nga cili qytet vijmë – rëndësi ka që jemi një. Të duhemi, të bashkëpunojmë dhe të shpërndajmë pozitivitet brenda familjeve dhe komunitetit tonë.”

Ai nënvizoi se xhamitë shqiptare nuk janë vetëm vend adhurimi, por edhe qendra kulturore dhe kombëtare ku ruhet gjuha, traditat dhe identiteti shqiptar.

Mesazhi i Bajramit u përqendrua në katër shtylla kryesore: unitetin, paqen, bamirësinë dhe punën. Vetëm duke qëndruar të bashkuar, duke kultivuar harmoninë dhe duke punuar me përkushtim, mund të ndërtohet një shoqëri më e fortë dhe një e ardhme më e mirë për brezat e ardhshëm. 

Atmosfera festive u pasurua edhe nga pranimi i urimeve dhe respektit nga institucionet zvicerane dhe shqiptare. Urime për këtë festë erdhën nga Policia Zviceranr, kisha të ndryshme zvicerane, si dhe nga institucione të tjera vendase, duke treguar një bashkëpunim dhe respekt reciprok që shërben si shembull i shkëlqyer për komunitetet e tjera. Flamujt shqiptarë dhe ata të Kosovës u vendosën në sallë si simbol i unitetit dhe krenarisë kombëtare. Ky event nuk ishte vetëm një festë fetare, por edhe një manifestim i identitetit kulturor dhe kombëtar. Ai krijoi një urë lidhjeje midis shqiptarëve nga të gjitha trevat, duke forcuar ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit. 

Në përmbyllje, u shpreh respekt i veçantë për imam Fahredin Bunjaku, kryesinë e Xhamia Shtëpia e Paqes dhe këshillin organizativ për përkushtimin, profesionalizmin dhe menaxhimin e shkëlqyer të këtij eventi madhështor. Falë tyre, festa e Fitër Bajramit u shndërrua në një moment reflektimi, gëzimi dhe bashkimi për të gjithë komunitetin. Mesazhi kryesor i kësaj dite mbetet i qartë: të ndërtojmë ura mes njëri-tjetrit, të ruajmë traditat, të kultivojmë unitetin dhe të mos lejojmë që asnjë kufi të na ndajë në zemër. Paqe gjithandej botës me mesazh, ate që ia duam vetes, t’ ia duam edhe te tjerëve. Gëzuar Fitër Bajramin!

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB