POSTIMET E FUNDIT

Një vepër referenciale për fishtologjinë: “Veçanti të veprës letrare të Fishtës” nga Anton Nikë Berisha

Botuesi i mirënjohur shqiptar, “Biblioteka françeskane At Gjergj Fishta”, e ka sjellë për lexuesit dhe studiuesit librin më të ri, “Veçanti të veprës letrare të Fishtës”, nga autori, Anton Nikë Berisha. Siç shkruan në parathënie të këtij studimi, prof. dr. Vinçens Marku, kjo vepër mund të konsiderohet si një ndër kontributet më të rëndësishme në fushën e studimeve mbi krijimtarinë e poetit kombëtar shqiptar, Gjergj Fishta.

Libri në fakt është një përmbledhje e gjerë e studimeve të Anton Nikë Berishës, mbi veprën e Fishtës, që kap një periudhë kërkimore mbi njëzetvjeçare (1981-2003), e strukturuar sipas një logjike tematike jokronologjike. Në këtë vepër autori Berisha i qaset universit letrar të Fishtës me një paanshmëri të rrallë kritike dhe me një ndjeshmëri të thellë estetike. Ai i shkrin dijet teorike me intuitën krijuese dhe depërton në shtresat më të thella të tekstit të Fishtës, duke zbuluar veçanti të panjohura më parë, në të gjitha gjinitë që lëroi. Argumentimi shkencor i Berishës mbështetet në një korpus të konsoliduar teorik, që shtrihet që nga tradita klasike e Aristotelit, e deri te shkollat poetike moderne, çka i jep studimit një bazë të fortë metodologjike.

Ky studim po ashtu vë në ballafaqim një spektër të gjerë mendimesh kritike, nga bashkëkohësit e Fishtës, e deri te studiuesit modernë, duke krijuar kështu një dialog të hapur interpretimesh.

Më tej, studimi “Veçanti të veprës letrare të Fishtës” trajton edhe çështje të tjera, siç është raporti midis unit satirik dhe atij historik fishtian, funksionit të komikes dhe katarsisit, si dhe dallimit mes heroit epik dhe atij historik në veprën e Fishtës.

Autori Berisha në këtë studim ndalet edhe në veprat e veçanta të Fishtës, si “Jerina, ose mbretnesha e luleve”, duke e vlerësuar atë si një nga kulmet poetike të Fishtës.

Mund të thuhet se në tërësinë e vet, studimi “Veçanti të veprës letrare të Fishtës”, na jep një profil shumë më të plotë dhe më të thelluar të poetit kombëtar shqiptar, që e kemi njohur deri më tani, duke kontribuar në zhvillimin e fishtologjisë, dhe, në përgjithësi, në pasurimin e mendimit kritik shqiptar.

Për fund duhet thënë se botimi i kësaj vepre i pasuron edhe më tej dijet mbi letërsinë e Fishtës, duke u bërë natyrshëm një referencë e re shkencore për studiuesit, studentët dhe lexuesit.

Anton Nikë Berisha është autor i një vargu veprash të rëndësishme letrare dhe studimore. Në fushën e prozës ai ka botuar shumë romane e tregime, ndër të tjera romanet: “Gjin Bardhela i Arbëresh – Etja e Gurëzuar”, “E Bukura e Dheut”, “Kush dëgjoftë e mos tregoftë…”, vepra që kanë pasuruar prozën shqiptare dhe kanë zgjuar interes të veçantë te lexuesit dhe studiuesit e letërsisë. Anton Nikë Berisha është laureat i shumë çmimeve letrare, ndër to edhe i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB