Më 31 maj 2026, komuniteti shqiptar u mblodh në Wolfe’s Pond Park në Staten Island për piknikun e përvitshëm të organizuar nga 14 shoqata shqiptare të qytetit të Nju Jorkut. Ky aktivitet madhështor mblodhi rreth 8,000 pjesëmarrës të të gjitha moshave nën moton: “Një Ditë Tradite, Bashkimi dhe Argëtimi.”
Pikniku shërbeu si një mundësi e veçantë për familjet dhe miqtë shqiptarë që të kalonin kohë së bashku, të festonin trashëgiminë e tyre kulturore dhe të forconin lidhjet brenda komunitetit. Në të gjithë parkun mbizotëronte një atmosferë festive, ku pjesëmarrësit shijonin gatimet tradicionale shqiptare, merrnin pjesë në aktivitete sportive, luanin lojëra të ndryshme dhe ndanin biseda të ngrohta me njëri tjetrin. Për shumë prej tyre, kjo ishte edhe një mundësi e rrallë për t’u takuar me miq dhe të afërm që nuk i kishin parë prej vitesh.
Në skenën kryesore, të përgatitur posaçërisht për këtë festë, interpretohej muzikë shqiptare nga këngëtarë të njohur të komunitetit, dhe te ftuar. Këngët dhe vallet shqiptare jehonin në mbarë parkun, duke krijuar një atmosferë krenarie dhe gëzimi kombëtar. Dita e bukur me diell dhe flladi i lehtë që vinte nga Oqeani Atlantik i dhanë aktivitetit një hijeshi të veçantë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve amerikane, nga kongresi amerikan, zyrtarë lokalë të Staten Island, këshilltarë të qytetit, përfaqësues të Misionit të Përhershëm të Shqipërisë pranë OKB-së, si dhe aktivistë e drejtues të organizatave të ndryshme shqiptaro amerikane. Në fjalët e tyre përshëndetëse, ata vlerësuan organizatorët për realizimin e një aktiviteti me vlera të larta kombëtare dhe kulturore, si dhe për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro amerikane.
Organizatorët kishin përgatitur një program të pasur me aktivitete sportive dhe argëtuese për të gjitha grupmoshat.
Anëtarët e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” kaluan momente të paharrueshme së bashku. Gatimet tradicionale, bisedat miqësore dhe atmosfera e ngrohtë e bënë këtë aktivitet edhe më tërheqës dhe të këndshëm.Një kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe suksesin e pjesëmarrjes së shoqatës dhanë anëtarja e kryesisë, znj. Arta Xhaferri, dhe koordinatorja e aktivitetit, znj. Geltiana Bulku, të cilat punuan me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij organizimi.
Një moment i veçantë dhe emocionues ishte festimi i ditëlindjes së anëtarit të shoqatës, z. Elton Xhaferri, dhe të Dion Hatia. Të gjithë të pranishmit u bashkuan në urimin e tyre, duke kënduar së bashku “Happy Birthday” dhe duke ndarë një tortë festive. Ishte një çast i bukur që solli buzëqeshje dhe forcoi edhe më shumë frymën e miqësisë dhe bashkimit.
Një nga aktivitetet më interesante të ditës ishte turneu i shahut i organizuar nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. Në këtë turne morën pjesë përfaqësues nga të gjitha shoqatat shqiptare pjesëmarrëse, ku secila shoqatë kishte përfaqësuesin e saj.
Hedhja zyrtare e shortit u zhvillua në orën 12:00 në tendën e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skenderbej”. Shorti u drejtua nga presidenti i shoqatës, z. Imer Laçaj, së bashku me z. Lekë Preçi dhe z. Elton Xhaferri, të cilët shërbyen si arbitra dhe mbikëqyrën zhvillimin e turneut.
Pas përfundimit të shortit, garat nisën menjëherë. Ndeshjet ishin tepër konkurruese dhe dëshmuan nivel të lartë përgatitjeje, përqendrimi dhe përkushtimi nga pjesëmarrësit. Edhe pse nuk kishte kufizim kohe, disa prej ndeshjeve zgjatën më shumë se sa pritej, pasi lojtarët luftuan deri në lëvizjen e fundit për të siguruar fitoren.
Pas një gare të fortë dhe emocionuese, fitues i turneut u shpall z. Arjon Bushaj. Kupa e fitores iu dorëzua nga presidenti i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”, z. Imer Laçaj.
E gjithë dita u karakterizua nga atmosfera festive, gëzimi dhe fryma e bashkëpunimit. Pikniku dëshmoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe forcimit të unitetit të komunitetit shqiptaro amerikan.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për organizatorët, vullnetarët dhe të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij organizimi të suksesshëm. Të gjithë u larguan me kujtime të bukura, krenari për trashëgiminë e tyre dhe me dëshirën për t’u takuar përsëri vitin e ardhshëm në një tjetër festë të traditës, vlerave dhe kulturës shqiptare. /GD
Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” – Staten Island.




