Hagë – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur faza përmbyllëse e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Prokuroria e Specializuar ka hapur deklaratat përmbyllëse, duke theksuar se procesi gjyqësor ka arritur të funksionojë pavarësisht sfidave të shumta.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, deklaroi se kjo gjykatë ka dëshmuar se klima e frikësimit të dëshmitarëve mund të menaxhohet në mënyrë që e vërteta të dalë në pah. Sipas saj, Dhomat e Specializuara janë shndërruar në një gjykatë funksionale dhe të suksesshme brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore.
“Ne kemi dëshmuar se klima e frikësimit mund të menaxhohet në një mënyrë që siguron që e vërteta do të dëgjohet. Jemi bërë një gjykatë funksionale e suksesshme në një periudhë relativisht të shkurtër”, tha West.
Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për viktimat dhe dëshmitarët e këtij procesi, duke i cilësuar ata si më meritorët për zhvillimin e gjykimit. West theksoi se, pavarësisht frikësimeve, kërcënimeve, stigmatizimit dhe presioneve me të cilat janë përballur dëshmitarët dhe familjet e tyre, ata kanë treguar guxim për të dëshmuar.
“Pavarësisht frikësimeve, kërcënimeve, stigmave dhe situatave me të cilat janë përballur këta dëshmitarë dhe familjet e tyre nga një grup i kufizuar, por me zë në Kosovë, ata e kanë dëshiruar aq shumë që e vërteta të dalë në pah”, u shpreh ajo.
Me nisjen e deklaratave përmbyllëse të Prokurorisë, procesi gjyqësor hyn në një fazë vendimtare, ndërsa pritet që edhe mbrojtja të paraqesë argumentet e saj përfundimtare në ditët në vijim, transmeton rtk.




