Një bisedë me Flora Nikollën për 4th International Cartoon Biennale “Niko Nikolla”.
Bisedoi: Sokol Paja
Në një kohë kur bota komunikon gjithnjë e më shumë përmes imazhit, karikatura mbetet një nga gjuhët më të fuqishme të komunikimit njerëzor. Ajo mund të bëjë të qeshësh, por edhe të mendosh; mund të satirizojë një realitet dhe, në të njëjtën kohë, të ngrejë një pyetje serioze. Në këtë filozofi është ndërtuar gjatë gjashtë viteve, Bienalja Ndërkombëtare e Karikaturës “Niko Nikolla”, një projekt që ka sjellë artistë nga dhjetëra vende të botës në Shqipëri dhe ka krijuar një hapësirë ndërkombëtare të dialogut përmes artit të karikaturës.
Në prag të edicionit të katërt, që do të zhvillohet në Korçë, më 30 tetor – 1 nëntor 2026, Flora Nikolla, ideatorja e Bienales dhe Drejtore Ekzekutive e Albanian Excellence, rrëfen për “Dielli” historinë e këtij projekti, rolin e Agim Sulajt, rrugëtimin nga Pogradeci në Tiranë e më pas në Korçë dhe ambicien për ta kthyer Shqipërinë në një pikë të rëndësishme të hartës ndërkombëtare të karikaturës.
Flora, si lindi ideja për krijimin e Bienales “Niko Nikolla”?
Ideja për krijimin e Bienales, lindi gjashtë vite më parë kur mendova se Shqipëria kishte nevojë për një ngjarje ndërkombëtare të karikaturës, një platformë që të sillte artistë nga vende të ndryshme të botës dhe njëkohësisht të vendoste Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të këtij arti. Ishte një ide që lindi në një moment shumë të veçantë, kur në Pogradec, ne qytetin e lindjes së babait tim, Niko Nikolla. Në atë vit, bota hyri në periudhën e COVID-19. Kufijtë u mbyllën, njerëzit u izoluan dhe shumë aktivitete kulturore u ndërprenë. Por pikërisht kur bota po mbyllej, arti duhej të hapte një dritare. Dhe karikatura ishte gjuha që mund ta bënte këtë. Ajo nuk ka nevojë për përkthim. Një vizatim mund të udhëtojë nga Shqipëria në Japoni, nga Polonia në Spanjë, nga Amerika në Australi dhe të kuptohet pa pasur nevojë për një fjali.
Cili është roli dhe kontributi i artistit Agim Sulaj?
Po. Dhe kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Bienales. Një ide mund të lindë nga një person, por për t’u kthyer në një projekt të qëndrueshëm ka nevojë për njerëzit e duhur.
Agim Sulaj ishte një nga njerëzit kyç në këtë rrugëtim. Ai u bë bashkëthemelues i Bienales dhe Drejtor i saj Artistik, duke sjellë përvojën, autoritetin dhe vizionin e tij si një artist i njohur i karikaturës. U bashkua e u ngjiz mirë, ideja dhe vizioni për krijimin e Bienales me në ndërtimin e identitetit të saj artistik e ndërkombëtar të sjellë nga Agim Sulaj. Mendoj se pikërisht ky kombinim e bëri të mundur që një ide e lindur në Shqipëri të mos mbetej një aktivitet i zakonshëm, por të merrte karakterin e një Bienaleje të vërtetë ndërkombëtare.
Çfarë e bëri kaq të veçantë fillimin e një Bienaleje të vërtetë ndërkombëtare?
Fakti që nisëm në një periudhë pandemie. Në atë kohë mund të ishte shumë e lehtë të thoshim: “Le ta shtyjmë.” Por vendosëm të mos e shtynim. Përkundrazi, besuam se artistët kishin nevojë të komunikonin dhe publiku kishte nevojë për një buzëqeshje. Kjo është edhe arsyeja pse karikatura është kaq e fuqishme. Ajo mund të flasë për një krizë, për politikën, për teknologjinë, për luftën, për marrëdhëniet njerëzore apo për jetën e përditshme dhe ta bëjë këtë në vetëm një imazh.
Si ka qenë rrugëtimi i Bienales gjatë këtyre gjashtë viteve?
Ka qenë një rrugëtim shumë i bukur dhe aspak i zakonshëm.Bienalja nisi në Pogradec. Më pas u zhvendos në Tiranë, ku u zhvilluan dy edicione.
Dhe tani, për edicionin e katërt, vjen në Korçë, një qytet me një traditë të jashtëzakonshme kulturore dhe artistike. Pra, Bienalja ka lëvizur brenda Shqipërisë, por në të njëjtën kohë ka zgjeruar gjithnjë e më shumë hartën e saj ndërkombëtare. Për mua është shumë domethënëse që një projekt i tillë të mos mbetet vetëm në Tiranë. Ne duam që qytete të ndryshme shqiptare të bëhen pjesë e këtij komunikimi ndërkombëtar.
Cilat kanë qenë temat e edicioneve të mëparshme artistike?
Temat kanë qenë gjithmonë të lidhura me realitetin në të cilin jetojmë. Kemi pasur “Buzëqeshje Ballkanike”, një temë që preku humorin, identitetin dhe realitetin ballkanik. Më pas, Ku shkon botë ? “Të jetosh në një botë dixhitale”, një temë që lidhej me ndryshimin e madh që teknologjia ka sjellë në jetën tonë.
Kemi pasur edhe temën e portretit, “Portret – Dritan Abazoviç”, duke e përdorur portretin si një formë artistike dhe satirike. Çdo edicion ka pasur karakterin e vet, por gjithmonë kemi dashur që tema t’u japë artistëve liri për interpretim.
Çfarë risie sjell edicioni i katërt?
Edicioni i katërt është shumë i rëndësishëm për ne. Këtë vit kemi dy tema: “Angel or Devil?” – “Engjëll apo Djall?” dhe “Portrait – Bujar Kapexhiu”.
“Engjëll apo Djall?” është një temë që mund të interpretohet në mënyra të pafundme. Mund të jetë një reflektim mbi njeriun, politikën, shoqërinë, pushtetin, teknologjinë apo kontradiktat e jetës moderne.
Ndërsa “Portrait – Bujar Kapexhiu” është një nderim për një figurë të rëndësishme të karikaturës shqiptare. Kemi dashur që tradita shqiptare e karikaturës të jetë pjesë e një Bienaleje që tashmë ka një dimension ndërkombëtar.
Sa i përket pjesëmarrjes së artistëve, sa ndërkombëtare është sot Bienalja “Niko Nikolla”?
Mjafton të shohësh listën e vendeve dhe flamujt e artistëve pjesëmarrës për ta kuptuar. Mesatarisht kemi pasur rreth 60 vende pjesëmarrëse për edicion.
Nëse e shohim në katër edicione, kemi një shtrirje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe qindra pjesëmarrje nga vende të ndryshme të botës. Por për mua, rëndësi nuk ka vetëm numri. Pas çdo vendi është një artist. Dhe pas çdo artisti është një kulturë.
Kjo do të thotë se nëpërmjet Bienales, Shqipëria ka komunikuar me një pjesë shumë të madhe të komunitetit ndërkombëtar të karikaturës.
Kjo është ajo që dua të them kur them se Bienalja ka ndihmuar në vendosjen e Shqipërisë në hartën botërore të karikaturës.
Çfarë ndikimi ka pasur Agim Sulaj në këtë shtrirje ndërkombëtare?
Një rol shumë të rëndësishëm. Si bashkëthemelues dhe Drejtor Artistik, Agim Sulaj ka qenë një nga shtyllat e identitetit artistik të Bienales. Përvoja e tij ndërkombëtare, marrëdhëniet me komunitetin e karikaturës dhe njohja e këtij arti kanë ndihmuar shumë që Bienalja të krijojë një profil serioz.
Mendoj se një nga bukuritë e këtij projekti është pikërisht bashkëpunimi. Njëra anë është ideja dhe vizioni për ta krijuar një platformë të tillë në Shqipëri.
Ana tjetër është përvoja artistike dhe profesionale që e ndihmon atë platformë të fitojë autoritet. Dhe këto dy dimensione janë bërë bashkë.
A është kjo edhe një formë diplomacie kulturore shqiptare?
Pa dyshim. Unë e shoh Bienalen edhe si një formë të diplomacisë kulturore shqiptare. Kur një artist nga një vend tjetër vjen në Shqipëri, ekspozon këtu, njeh artistët shqiptarë dhe krijon marrëdhënie të reja, kemi krijuar një urë. Kur një artist shqiptar hyn në një rrjet ndërkombëtar, kemi krijuar një tjetër urë. Në fund, kultura bën atë që politika shpesh e ka të vështirë ta bëjë: i afron njerëzit.
Çfarë lidhjeje ka kjo Bienale me Albanian Excellence?
Bienalja është pjesë e vizionit të Albanian Excellence për ta promovuar Shqipërinë përmes njerëzve, artit, kulturës dhe vlerave të saj. Ne besojmë se “Excellence” nuk është vetëm një çmim apo një titull. Është një mënyrë për të ndërtuar ura. Dhe një Bienale ndërkombëtare është pikërisht një urë.
Ne duam që Shqipëria të mos shihet vetëm si një vend që pret turistë, por edhe si një vend që krijon, organizon dhe pret ngjarje me standard ndërkombëtar.
Pse emri “Niko Nikolla”?
Sepse emri i Niko Nikollës përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore dhe të botës së humorit, publicistikës dhe krijimtarisë, si kryeredaktor i Revistës të vetme opozitare “Hosteni “ për 25 vite, atëhere kur u krijua edhe shkolla e karikaturës shqiptare. Kështu si një praktikë kjo e njohur edhe në notë, emri i tij i jep Bienales një lidhje me kujtesën dhe traditën, ndërsa vetë Bienalja është një mënyrë për ta çuar këtë trashëgimi drejt së ardhmes. Ne besojmë se emrat e njerëzve që kanë kontribuar në kulturën shqiptare duhet të vazhdojnë të jetojnë përmes projekteve të reja.
Çfarë prisni nga Korça?
Shumë. Korça ka një shpirt të veçantë. Është një qytet ku arti, kultura, tradita dhe historia janë pjesë e identitetit të përditshëm. Prandaj mendoj se është një vend shumë i bukur për ta çuar Bienalen në një fazë të re. Nga Pogradeci, në Tiranë, dhe tani në Korçë, Bienalja ka krijuar një itinerar të vetin. Por udhëtimi i vërtetë ka qenë ai nga Shqipëria drejt botës.
Cili është mesazhi juaj për artistët që marrin pjesë?
T’u themi faleminderit. Sepse pa artistët nuk do të kishte Bienale. Çdo artist që dërgon një vepër në Shqipëri bëhet pjesë e kësaj historie. Edhe nëse nuk vjen fizikisht në Korçë, vepra e tij udhëton. Dhe kjo është fuqia e artit.
Po mesazhi për publikun shqiptar?
Të mos e shohë karikaturën vetëm si diçka që na bën të qeshim. Ta shohë si një art që na bën të mendojmë. Pas një vizatimi të bukur mund të fshihet një pyetje shumë serioze. Pas një buzëqeshjeje mund të jetë një kritikë ndaj shoqërisë. Dhe pas një batute mund të fshihet një e vërtetë.
Ku e shihni Bienalen pas disa vitesh?
E shoh gjithnjë e më ndërkombëtare.Dua që “Niko Nikolla” të bëhet një emër i njohur në kalendarin botëror të karikaturës. Dua më shumë vende, më shumë artistë, më shumë bashkëpunime dhe më shumë të rinj që të afrohen me këtë art.
Por mbi të gjitha dua që të ruajmë atë që ishte në fillim: guximin për të besuar te një ide.
Sepse gjashtë vite më parë, kur bota ishte në mes të COVID-it, askush nuk mund ta dinte se ku do të arrinte kjo ide. Sot mund të themi se ajo ka bërë një rrugë të gjatë. Nga Pogradeci në Tiranë.Nga Tirana në Korçë. Nga Shqipëria drejt dhjetëra vendeve të botës. Dhe nëse ka një gjë që kjo Bienale ka dëshmuar, është kjo:
Nuk duhet të jesh një vend i madh për të pasur një ide të madhe. Mjafton të kesh guximin ta nisësh.
NJË IDE, DY FORCA KRIJUESE
Historia e Bienales “Niko Nikolla” është edhe historia e një bashkëpunimi.
Flora Nikolla – Ideatore dhe Drejtore Ekzekutive
Ideja për krijimin e Bienales dhe vizioni për ta kthyer Shqipërinë në një pikë takimi ndërkombëtar të karikaturës.
Agim Sulaj – Bashkëthemelues dhe Drejtor Artistik
Kontributi artistik, eksperienca ndërkombëtare dhe ndërtimi i identitetit artistik të Bienales.
Dy role të ndryshme, por një qëllim i përbashkët:
TË SJELLIN BOTËN E KARIKATURËS NË SHQIPËRI DHE SHQIPËRINË NË BOTË.
4th International Cartoon Biennale “Niko Nikolla”
Korçë, Albania | 30 October – 1 November 2026
Themes: “Angel or Devil?” & “Portrait – Bujar Kapexhiu”
Organized by: Albanian Excellence.










