POSTIMET E FUNDIT

Nga gëzimi i Bajramit në Bernë te përqafimi me kërçovarët në Basel – Ambasador Demiri pranë zemrës së bashkatdhetarëve

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Ambasadori Demiri – një figurë unifikuese për mërgatën shqiptare në Zvicër

Gëzuar Fitër Bajramin!

Në këtë ditë të bekuar, Ambasadori i RMV-së në Bernë të Zvicrës, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, përcolli urimet më të sinqerta për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, duke u dëshiruar paqe në zemër, gëzim në familje dhe begati në çdo hap të jetës së tyre. Ai theksoi se kjo festë është një kujtesë e fuqishme për dashurinë, faljen dhe solidaritetin mes njerëzve.

Me rastin e Fitër Bajramit, Ambasadori Demiri, së bashku me Sekretarin e Parë të Ambasadës së Shqipërisë, z. Valon Gashi, si dhe Gjenis Haxhimehmeti, Sekretar i Dytë në Ambasadën e Kosovës, morën pjesë në faljen e namazit të Fitër Bajramit, ku u bashkuan me mijëra bashkatdhetarë në Zvicër. Pas faljes, ata ndanë urime dhe përshëndetje të përzemërta me të pranishmit, duke reflektuar frymën e unitetit dhe afërsisë që karakterizon këtë festë.

Ambasadori i RMV-së, Rexhep Demiri, e kaloi këtë festë të Fitër Bajramit mes bashkatdhetarëve, duke dëshmuar edhe njëherë lidhjen e fortë që ruan me komunitetin shqiptar në diasporë. Dita festive nisi në Bernë, ku ai mori pjesë në faljen e Bajramit në xhami, së bashku me besimtarë të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori uroi të gjithë të pranishmit për festën, me fjalë të mira si zakonisht që buronin nga zemra. Ai theksoi se kishte zgjedhur që këtë ditë të veçantë ta ndajë pikërisht me ta, duke qenë se edhe jeton në Bernë dhe e ndjen veten pjesë të pandarë të këtij komuniteti. Po ashtu, ai përmendi vizitat e tij të shpeshta nëpër xhami, duke treguar se lidhja e tij me besimtarët është e vazhdueshme dhe e sinqertë.

Pas përfundimit të ceremonive të paradites në Bernë, ambasadori Demiri vazhdoi angazhimet e tij drejt Basel-it, ku në drekë në namazin e Xhumasë u bashkua me bashkëvendësit e tij nga Kërçova me rrethinë. Në xhaminë shqiptare atje, ai u prit me ngrohtësi dhe respekt nga komuniteti.

Gjatë kësaj vizite, ai mbajti një tjetër fjalë përshëndetëse, duke theksuar se nuk i kishte harruar bashkëvendësit e tij:
Nuk ju kam harruar as juve, bashkëvendas. Në këtë ditë të madhe erdha të jem mes jush. Ju mbaj gjithmonë në zemër.

Prania e tij në Basel, menjëherë pas angazhimeve në Bernë, u vlerësua si një gjest i veçantë përkushtimi dhe afërsie. Udhëtimi nga një qytet në tjetrin në një ditë feste simbolizon përpjekjen e tij për të qenë pranë sa më shumë bashkatdhetarëve, duke ndarë me ta gëzimin e Bajramit. Kjo ditë festive, e ndarë mes Bernës dhe Basel-it, u kthye në një mesazh të qartë uniteti dhe solidariteti, ku ambasadori Demiri dëshmoi se, pavarësisht angazhimeve, ai mbetet gjithmonë afër njerëzve të tij, duke i vlerësuar dhe mbajtur në zemër kudo që ndodhen.

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Ambasadori Demiri është parë në një sërë aktivitetesh dhe takimesh me përfaqësues të komunitetit shqiptar, duke dëshmuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj mërgatës. Prania e tij aktive në këto organizime tregon dhe dëshmon se ai është dhe mbetet një figurë unifikuese për shqiptarët në diasporë. Përmes pak fjalëve, por me shumë shpirt, Ambasadori Demiri uroi të gjithë shqiptarët e besimit islam, kudo që ndodhen, për festën e Fitër Bajramit, duke përcjellë mesazhe paqeje, harmonie dhe bashkimi.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB