Lajmi për tërheqjen parandaluese të disa loteve të qumështit pluhur për foshnje nga kompania Nestlé ka ngjallur vëmendje dhe shqetësim te shumë familje. Autoritetet dhe kompania theksojnë se bëhet fjalë për një masë vullnetare dhe parandaluese, e ndërmarrë në kuadër të parimit të kujdesit maksimal për sigurinë ushqimore.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi vjen pas një tërheqjeje të mëparshme të dy loteve në Itali, në dhjetor 2025. Këtë herë, masa shtrihet në disa produkte të qumështit për fëmijë, përfshirë markat Beba, Guigoz, Lactogen Harmony dhe Alfamino.
Shkaku i tërheqjes lidhet me një kontaminim të mundshëm me cereulidë, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus. Në rast konsumimi, veçanërisht te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, ajo mund të shkaktojë shqetësime gastrointestinale, si të vjella dhe diarre.
Ekspertët sqarojnë se cereulida është rezistente ndaj nxehtësisë dhe nuk eliminohet përmes zierjes apo përgatitjes termike, çka do të thotë se produktet që i përkasin loteve të përfshira nuk duhet të përdoren në asnjë rast.
Nestlé u bën thirrje konsumatorëve që të kontrollojnë me kujdes numrat e loteve dhe, nëse konstatojnë se produkti i tyre është pjesë e tërheqjes, të ndërpresin menjëherë përdorimin dhe të ndjekin udhëzimet e kompanisë për kthim ose rimbursim.
Autoritetet theksojnë se deri tani masa është parandaluese dhe synon mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, duke ftuar prindërit të informohen vetëm përmes burimeve zyrtare dhe të shmangin panikun e panevojshëm./Salute, transmeton euronewsal.




