BallinaAtdheuNë RMV nis viti i ri shkollor për 238 mijë nxënës

Në RMV nis viti i ri shkollor për 238 mijë nxënës

-

Shkup, 1 shtator 2026 – Viti i ri shkollor 2026/2027 ka nisur sot në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), me rreth 238 mijë nxënës që janë rikthyer në bankat shkollore pas pushimeve verore. Nga numri i përgjithshëm, rreth 174 mijë janë nxënës të arsimit fillor, ndërsa 64 mijë ndjekin arsimin e mesëm. Procesi mësimor do të zhvillohet deri më 10 qershor 2027, ndërsa për maturantët viti shkollor përfundon më 17 maj. Pushimi dimëror, i paraparë mes dy semestrave, do të zgjasë nga 31 dhjetori deri më 21 janar. Ndërkohë, të dhënat përfundimtare për regjistrimin e nxënësve të klasës së parë dhe të vitit të parë të shkollës së mesme pritet të bëhen të ditura së shpejti. Deri tani, Ministria e Arsimit në RMV ka pranuar të dhëna për 14.952 nxënës të regjistruar në klasën e parë dhe 16.932 nxënës në vitin e parë të arsimit të mesëm.

622 mijë libra shkollorë në shkolla

Për fillimin e vitit të ri shkollor, në shkollat e RMV-së janë siguruar edhe tekstet shkollore. Sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit janë blerë gjithsej 622 mijë libra shkollorë, të cilët janë dorëzuar në shkolla në sasitë e kërkuara. Ministrja e Arsimit, Janevska, tha se për të tretin vit radhazi tekstet shkollore janë siguruar në kohë, duke theksuar se këtë vit janë realizuar edhe kursime prej 50 milionë denarësh.

“Janë blerë 622 mijë libra shkollorë dhe janë arritur kursime prej 50 milionë denarësh krahasuar me vitin para se të merrja drejtimin e këtij institucioni”, deklaroi Janevska.

Ajo shtoi se tekstet janë dorëzuar në shkolla dhe mund t’u shpërndahen nxënësve që nga dita e parë e vitit shkollor.

“Për të tretin vit radhazi, librat shkollorë janë blerë në kohë në sasitë e kërkuara nga shkollat. Ato janë dorëzuar dhe mund t’u shpërndahen nxënësve nga 1 shtatori. Jam e kënaqur që çështja e librave shkollorë nuk është më një sfidë si në të kaluarën”, tha ajo.

Vazhdojnë reformat në sistemin arsimor

Përveç sigurimit të teksteve shkollore, në RMV po vazhdon edhe procesi i optimizimit të rrjetit shkollor. Në kuadër të këtij procesi parashihet edhe mbyllja e shkollave me numër të vogël nxënësish, veçanërisht në zonat rurale. Paralelisht, autoritetet po punojnë edhe në futjen e mësimit me një turn të vetëm në shkolla. Këto masa synojnë shfrytëzim më efikas të kapaciteteve shkollore dhe përmirësimin e organizimit të procesit arsimor. Me nisjen e vitit të ri shkollor, institucionet arsimore në RMV do të fokusohen në mbarëvajtjen e mësimit, ndërsa në ditët në vijim priten edhe të dhënat përfundimtare për numrin e nxënësve të regjistruar në klasën e parë dhe në arsimin e mesëm./BS

Foto ilustrim

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Instituti i Historisë “Ali Hadri” pret Ambasadorin e Japonisë në Kosovë

0
Prishtinë – Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka mirëpritur Ambasadorin e Japonisë në Republikën e Kosovës, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Tanigaki, në një...