0.2 C
Zurich
Tuesday, November 18, 2025
spot_img
spot_img

Në Pusin e Qiellit

Duhet ti lexosh

/ Nga PhD.Xhavit LIPAJ, Zvicër

Në përvjetorin e 26-të të martirizimit të Nënës Salë dhe shtatë bijave të saj të gjakut – 13 Prill 1999 – 13 Prill 2025

Nëna Salë s’i tha kurrë jetës:

“Largohu.” Ajo i përplasi derën vdekjes

me sy që digjnin, me duar që përkundnin

jo vetëm fëmijët e saj, por edhe fjalët e pathëna të një populli të heshtur.

 

Ajo s’kishte armë, kishte zemër,

më të fortë, se çdo tank

që lëvizi mbi dheun tonë.

Në vend të pushkës – bekimin.

Në vend të urrejtjes – lutjen.

 

Dhe bashkë me të, u dogjën pa flakë:

Qëndresa – emër që kris si rrufeja,

vajza që nuk dinte të përkulej.

Mirdona – zëri i engjëjve që s’arriti të rritet,

por mbeti këngë në gjuhën e luleve.

Lindihana – mëngjes që nuk u gdhi kurrë.

Njomeza – vesë e pastër mbi një fletë që nuk u shkrua.

 

Hajrija – një dritë që nuk e ndezi dot shtëpinë e vet,

por u shndërrua në dritë përtej shtëpive.

 

Sabria – e heshtur, e thellë, e përjetshme,

si durimi që mban tokën në vend.

 

Ata i morën, i lidhën, i vranë,

dhe i hodhën në bunar –

si të ishin të tepërt për tokën,

por jo për qiellin.

 

Ata nuk e dinin, se po e hidhnin veten në errësirë,

dhe po e linin dritën, brenda ujërave të thella

ku ne sot shkojmë të qajmë,

por edhe të përulemi.

Nëna Salë nuk është vetëm nëna jonë

ajo është Nëna e Kosovës.

Ajo është gur që nuk lëviz,

ajër që nuk mbaron,

fjalë që nuk harrohen.

Qëndresa, Mirdona, Lindihana,

Njomeza, Hajrija, Sabria

shtatë rreze që u ngjitën lart, jo për të ikur,

por për të parë: a kemi mbetur njerëz?

A dimë t’i mbajmë gjallë emrat e tyre,

jo me urrejtje, por me dinjitet?

 

13 Prilli nuk është vetëm një datë

është varg në një himn të shenjtë.

Është emër që nuk fshihet.

Është plagë që mbetet e shenjtë,

jo për hakmarrje –

por për dashuri që nuk u dorëzua kurrë.

 

Nuk ka datë më të rëndë

se ajo që mbetet në gjak.

Nuk ka gropë më të thellë

se bunari që fsheh

jo ujë, por jetë të rrëmbyera.

 

13 Prilli nuk është vetëm kalendar

është një plagë që nuk qelb,

por lutet.

Një plagë që qetësi nuk njeh, veç nderim.

 

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Artikujt e fundit