Gjenevë, 17 shtator 2026 – Në Gjenevë është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit ndërmjet Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK) dhe Konsullit të Nderit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjenevë, Zaim Jashari.
Memorandumi u nënshkrua nga Hashim Deshishku, Nënkryetar i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, dhe Zaim Jashari, Konsull Nderi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe Xhavit Islami, Koordinator i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës për Gjenevë, si dhe Shkëlqesia e Tij Tahir Shabani, President dhe Ambasador i Paqes dhe president i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim – Francë dhe Gjenevë.
Ky Memorandum synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik, rritjen e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve dhe fuqizimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet promovimit të potencialeve ekonomike dhe investuese në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Kantonin e Gjenevës, si dhe krijimit të urave të reja ndërmjet bizneseve dhe institucioneve.
Në kuadër të Memorandumit parashihet bashkëpunimi në organizimin e Forumeve Ekonomike dhe B2B, panaireve, konferencave për investime, misioneve biznesore dhe takimeve ndërmjet kompanive dhe institucioneve.
Palët do të angazhohen gjithashtu në identifikimin dhe promovimin e mundësive të reja të investimeve në sektorë si turizmi, agrobiznesi, tregtia, prodhimi, teknologjia, shërbimet dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

Nënshkrimi i këtij Memorandumi në Gjenevë shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe institucional, duke krijuar hapësirë për partneritete të reja dhe mundësi konkrete për komunitetin e biznesit. Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet e përkushtuar në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në hapjen e mundësive të reja për bizneset kosovare në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare, transmeton Lidhja e Bizneseve të Kosovës, përcjell helveticALforum.ch










