0.7 C
Zurich
Thursday, December 25, 2025
spot_img
spot_img

Mobilizimi i Diasporës Shqiptare për Zgjedhjet në Kosovë – Vullnet, Sakrificë dhe Shpresë

Duhet ti lexosh

Ph.D. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore

Kanë mbetur edhe pak orë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Këto zgjedhje po zhvillohen në një moment të ndjeshëm politik dhe shoqëror, por ajo që bie më së shumti në sy është mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve shqiptarë të diasporës për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike të votës.

Diaspora në rrugë drejt atdheut

Tashmë, shumica e mërgatës ka mbërritur në Kosovë. Pamjet e ditëve të fundit flasin vetë: kolona të gjata veturash dhe autobusësh, pritje prej 8 deri në 12 orë në pikat kufitare, lodhje fizike dhe emocionale, por edhe vendosmëri e palëkundur. Ata që kanë udhëtuar me aeroplan janë përballur me çmime stratosferike të biletave, duke sakrifikuar financiarisht vetëm për të qenë prezent në ditën e votimit.

Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, diaspora edhe një herë dëshmon se është me atdheun në çdo situatë – ashtu siç ka qenë gjithmonë në momentet më të vështira të historisë sonë kombëtare.

Vullnet i madh për të votuar

Nga ajo që kemi parë dhe përjetuar këto ditë, sivjet interesimi i mërgatës për të votuar është dukshëm më i madh se herët e tjera. Ky mobilizim masiv nuk është vetëm një akt qytetar, por edhe një mesazh i fortë për bashkëkombësit në Kosovë:
Dilni në votime!
Ne kemi ardhur nga mijëra kilometra larg – është detyrë morale dhe qytetare që të dalim masovikisht dhe të vendosim për të ardhmen tonë të përbashkët.

Shpresojmë dhe besojmë që edhe moti të jetë i favorshëm, në mënyrë që qytetarët të mos presin në të ftohtë dhe procesi zgjedhor të zhvillohet në kushte dinjitoze.

Klima politike dhe pritjet nga zgjedhjet

Nga vëzhgimet në terren, shihet se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë pasur aktivitet më të dukshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë shfaqur më pak. Megjithatë, për mërgatën, më e rëndësishme se emrat e partive është drejtimi që do të marrë Kosova pas zgjedhjeve.

Diaspora ka ardhur për t’i dhënë votën të ardhmes – me shpresën e sinqertë që qeveria e re nuk do ta harrojë mërgatën, sidomos brezin e ri që po rritet dhe po edukohet jashtë atdheut, por që ruan gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar.

Përkundër zhgënjimeve të së kaluarës – seanca parlamentare të vonuara, debate të zbrazëta dhe mungesë efikasiteti – interesimi i mërgatës nuk është zbehur. Përkundrazi, është rritur. Kjo tregon pjekuri qytetare dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie kombëtare.

Diaspora – arteria kryesore e kombit

Mërgata shqiptare është arteria kryesore që e mban gjallë trupin kombëtar. Ajo pret zgjedhje të qeta, të drejta dhe demokratike. Kësaj here, shumëkush beson se vota e mërgimtarit do të jetë vendimtare për përbërjen e Kuvendit dhe për drejtimin e ardhshëm të Kosovës – një drejtim me punë, unitet dhe pa humbje kohe.

Diaspora dëshiron që pas zgjedhjeve të ketë festë në Kosovë, sepse në fund të fundit, fituesi i vetëm duhet të jetë Kosova.

Diaspora dhe mungesa e vëmendjes institucionale

Prej dekadash, diaspora shqiptare ka qenë forca më e qëndrueshme dhe më e sinqertë e kombit. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet në periferi të vëmendjes së institucioneve shtetërore. Në fushata zgjedhore dëgjojmë fjalë të mëdha dhe premtime patriotike, por patriotizmi nuk matet me deklarata – matet me politika konkrete, strategji afatgjata dhe angazhim të vazhdueshëm. Sot, kur gjenerata e katërt e diasporës po rritet duke folur shqip, duke kënduar për flamurin dhe duke nderuar dëshmorët, ne nuk kemi të drejtë t’i lëmë këta fëmijë vetëm në përkushtimin e prindërve të tyre. Ata meritojnë mbështetje institucionale, të organizuar dhe të qëndrueshme.

Dy shtete, një komb, një e ardhme

Ne kemi dy shtete shqiptare, dy qendra politike, por vetëm një komb dhe një të ardhme. Shqipëria dhe Kosova duhet të veprojnë me vetëdije historike dhe vizion strategjik, duke e parë diasporën si pjesë organike të zhvillimit kombëtar – si investim në identitet, kulturë, ekonomi dhe diplomaci.

Integrimi i të rinjve tanë në shoqëritë ku jetojnë nuk është pengesë, por një pasuri. Kjo kërkon politika të mençura dhe bashkërenduese, sepse forca e një kombi matet edhe nga mënyra se si i ruan dhe i kultivon fëmijët e vet, kudo që ata ndodhen.

Meritokracia dhe bashkimi – domosdoshmëri kombëtare

Duhet t’i japim hapësirë meritokracisë. Deri kur do të shiten postet?
Pse duhet të vrapojmë pas trumbetuesve dhe jo pas vlerave reale?
Pse po e lejojmë përçarjen të na hyjë si kancer në trupin e kombit?

Le ta shohim të ardhmen tek rinia dhe ta falënderojmë sinqerisht Zvicrën dhe popullin e saj për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pastër ndaj komunitetit shqiptar.

Ide për një diasporë të organizuar dhe të fuqishme

Pse të mos kemi:
• Bibliotekë Shqiptare në Zvicër?
• Muze të Diasporës në Prishtinë dhe Tiranë?
• Bankë Shqiptare në Zvicër?
• Kinema Shqiptare në Zvicër?
• Një LAPSH “Naim Frashëri” më të fortë, më të bashkuar dhe më efikas?
• Rikthimin e një Radio-Televizioni të Diasporës?

Diaspora është forcë. Është zemër. Është sakrificë.
Ajo është ambasadori më i ndershëm dhe më i palodhur i kombit tonë.

Zoti e bekoftë diasporën shqiptare – zemrën që rreh larg, por gjithmonë për Shqipërinë dhe për të gjitha tokat shqiptare.

Diaspora nuk është vetëm aset moral, por kapital kombëtar. Nëse duam një të ardhme më të bashkuar, më të drejtë dhe më të zhvilluar, duhet ta shohim diasporën jo si mjet elektoral, por si partner të pandashëm në projektin historik të forcimit të kombit.

Mundemi dhe do t’ia dalim – por vetëm bashkë. Kosovë e presim datën 29 dhjetor me fitore! / Enkas për helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme