Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, ka zhvilluar këtë të hënë një takim me Paolo Zampollin, të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump. Takimi u përqendrua te marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat Spahiu i cilëson si të shkëlqyera, ndërsa në bisedë u diskutua edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja bëri të ditur se gjatë takimit u shkëmbyen pikëpamje mbi forcimin e mëtejshëm të partneritetit shqiptaro-amerikan. Takimi vjen në kuadër të kontakteve të nivelit të lartë dhe përpjekjeve për të thelluar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fusha me interes të përbashkët.
Postimi i plotë
Zhvillova një takim tejet miqësor dhe konstruktiv me Ambasadorin Paolo Zampolli, të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Donald Trump dhe Përfaqësuesin Special të Qeverisë Amerikane për Partneritetet Globale.
Gjatë bisedës diskutuam mbi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, rëndësinë e aleancës sonë strategjike dhe mundësitë e shumta për partneritete konkrete në sektorë të ndryshëm, në shërbim të zhvillimit të vendit dhe qytetarëve.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi vlera dhe interesa të përbashkëta, ndërsa bashkëpunimi ynë vijon të thellohet në fusha me rëndësi strategjike. Në këtë kontekst, mikpritja e Shqipërisë për Samitin e NATO-s vitin e ardhshëm është një tjetër dëshmi e rolit në rritje të vendit tonë si partner i denjë i Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe i angazhimit tonë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, transmeton kjone.










