Diplomacia shqiptare ka njoftuar sot nisjen e një angazhimi të plotë në rrafshin ndërkombëtar për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme vjen menjëherë pas seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë, ku politika foli me një zë në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe drejtuesve të saj.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, të publikuar në rrjetet sociale edhe nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cilësoi aktin e sotëm parlamentar jo thjesht si një deklaratë politike, por si shprehjen e “kujtesës së një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri”.
Thelbi i qëndrimit të Tiranës zyrtare mbetet lufta kundër çdo përpjekjeje për të rishkruar historinë apo për të relativizuar krimet e kryera në Kosovë.
Ministria ka bërë të qartë se do të përdorë çdo kanal diplomatik për të kundërshtuar narrativat që synojnë të barazojnë viktimën me agresorin.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet,” thuhet në deklaratë.
Ofensivë diplomatike
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmoi se ky qëndrim nuk do të mbetet vetëm në letër. Institucioni është zotuar të ndërmarrë hapa konkretë diplomatikë në çdo tryezë dhe forum ndërkombëtar, për të garantuar se zëri i Shqipërisë dhe Kosovës të dëgjohet qartë.
Ky angazhim vjen në një moment delikat për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre, ndaj të cilëve Parlamenti shprehu sot solidaritet të plotë.
“Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive,” nënvizon Ministria, duke ritheksuar se dinjiteti i Kosovës është i pandashëm nga dinjiteti i të gjithë kombit shqiptar, transmeton rtsh.




