Nga Dashnim HEBIBI
Në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, veprimtari i njohur dhe ish-kryetari i Rrjetit të Miqësisë në Zvicër, Meti Krasniqi, ka ushtruar të drejtën e tij të votës së bashku me familjen në qytetin e Gjakovës. I pranishëm në Kosovë për këtë proces të rëndësishëm demokratik, Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë bashkëkombësve që të dalin masivisht në votime dhe të votojnë me përgjegjësi qytetare.
Në një prononcim për HelveticALforum.ch, ai theksoi se ka vërejtur një prani të madhe të mërgimtarëve, çka, sipas tij, dëshmon interesimin dhe përkushtimin e diasporës për të ardhmen e Kosovës.
“Kam parë shumë mërgimtarë dhe besoj se do të dalin të gjithë për të votuar,” u shpreh Krasniqi, duke shtuar se pret që vitet në vijim, përfshirë vitin 2026, të sjellin suksese dhe zhvillim për vendin.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Meti Krasniqi apeloi për qetësi, maturi dhe vetëdije në procesin e votimit. Ai nënvizoi se vota nuk duhet të jetë rezultat i propagandës, zhurmës politike apo populizmit, por një vendim i menduar mirë, i bazuar në logjikë dhe gjykim personal.
“Sot janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Është dita kur secili qytetar ka në dorë një përgjegjësi të madhe,” theksoi ai. Krasniqi u bëri thirrje votuesve të mos votojnë nga frika, emocionet e çastit apo nën presion, por të shikojnë me kujdes listat e kandidatëve dhe të mendojnë se kush ka kapacitet real për të kontribuar në mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e shtetit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.
“Vota nuk është reagim, është vendim. Voto me vetëdije. Mendo për të ardhmen tënde. Pa emocione, pa frikë, pa nxitim. Me qetësi, siguri dhe përgjegjësi qytetare. Me respekt për shtetin tim,” përfundoi ai mesazhin e tij.
Apeli i Meti Krasniqit vjen si një thirrje për demokraci funksionale dhe pjesëmarrje aktive, duke e parë votën si mjet kyç për forcimin e institucioneve dhe të ardhmen e Kosovës, transmeton helveticALforum.ch




