Një thesar kombëtar për fëmijët shqiptarë në mërgim
Nga Gjekë Gjonaj
Dikur në Malësi thuhej: “Fëmija merr gjuhën e nënës.” Kjo, ndoshta, sepse nëna i këndonte që në djep; ndoshta sepse ajo e ushqente dhe i qëndronte më afër gjatë fazave të rritjes. Unë besoj se nënat janë ato që duhet të kuptojnë se, nëse fëmijët humbasin gjuhën e tyre, atëherë humbasin veten, identitetin e tyre, dhe kështu shndërrohen në qenie pa drejtim. Nëse dikush nuk e di nga vjen, nuk mund të dijë as ku po shkon. Nëse dikush harron gjuhën e nënës së tij, çfarëdo drejtimi të zgjedhë në jetë, ai do të jetë i pasigurt; do të jetë gjithmonë i çalë, sepse do të shkëputet nga rrënjët e tij. Fëmijët e vegjël nuk e dinë këtë, prandaj është detyrë e prindërve të jenë të kujdesshëm dhe të palëkundur në ruajtjen e gjuhës, si elementin më të rëndësishëm që përcjell krenari dhe përkatësi kombëtare.
Ruajtja e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë, veçanërisht tek ata që kanë lindur dhe po rriten larg atdheut të tyre, është një amanet që e gjejmë edhe në vargjet e Homerit shqiptar, Atë Gjergj Fishtës:
…Pra mallkue njai bir Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të Perëndis’,
Trashëgim na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis’,…
Mësimi i gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në diasporë është përmbushje e amanetit që lanë të parët tanë për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës ndër breza, në vende të huaja.
Një ngjarje e veçantë për shqiptarët që jetojnë në Detroit është fillimi i mësimeve të gjuhës shqipe, pak ditë më parë, në Miçigan dhe qytetet përreth, të organizuara nga Shoqata “Jehona e Malësisë”. Ky është lajm mbi të gjitha lajmet, për shkak të rëndësisë dhe vështirësisë së mësimit të gjuhës amtare për fëmijët shqiptarë në mërgim.
Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar që kanë lindur dhe jetojnë atje, solli gëzim tek shumë prej tyre, bashkë me prindërit dhe mësuesit, por edhe tek të gjithë shqiptarët që janë krenarë për origjinën e tyre dhe të vetëdijshëm se ruajtja e gjuhës është detyrim moral e kombëtar për secilin.
Kur fëmijët hynë për herë të parë në klasë, në zyrën e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, ata u njohën me mësimdhënësit e tyre, të cilët i pritën me buzëqeshje dhe fjalë të mira, duke pritur me padurim një ditë të re që hapi një faqe të re për ta, në mënyrë që edhe ata të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Prindërit që i përcollën deri te dera ndiheshin ndryshe nga ditët e tjera.
Ky fakt duhet të motivojë jo vetëm këta prindër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, por edhe shumë prindër të tjerë, fëmijët e të cilëve kanë lindur dhe janë rritur larg atdheut. Shkrimtari i njohur Sami Frashëri me të drejtë ka thënë:
“Shenja e kombit është gjuha.
Kur një komb e humb gjuhën,
ai humb edhe veten.”
Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, deklaroi se me rritjen e brezave të rinj të komunitetit shqiptar jashtë vendit, një grup vullnetarësh dhe dashamirës të gjuhës shqipe nga shoqata, pas disa përpjekjeve dhe takimeve me prindër, panë të nevojshme institucionalizimin e dashurisë për gjuhën dhe krijimin e një forme të organizuar mësimdhënieje me plan dhe program didaktik. Kurrikula, shton ai, është hartuar me metoda bashkëkohore, praktike dhe argëtuese, ndërsa orët e gjuhës shqipe përfshijnë tregime, poezi patriotike, dialogë, lojëra gjuhësore e video edukative që e pasurojnë procesin e të nxënit.
“Qëllimi është që çdo fëmijë shqiptar të ketë mundësinë të mësojë në mënyrë të pavarur të flasë dhe të shkruajë gjuhën shqipe, në përputhje me normat drejtshkrimore. Ky është një akt dashurie për gjuhën dhe kombin, por edhe për brezat e ardhshëm,” tha Dedivanaj. Sipas tij, interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në klasat e gjuhës shqipe është i lakmueshëm që në ditët e para.
“Interesimi i fëmijëve është shumë i lartë, gjë që tregon motivim, dëshirë dhe kuriozitet të madh për të mësuar gjuhën tonë kombëtare. Entuziazmi i tyre reflektohet edhe në komentet e sinqerta që marrim nga nxënësit. Një vajzë, pas përfundimit të orës mësimore, tha: ‘Mësimi ishte shumë i shkurtër, do të doja të ishte shumë më i gjatë’.”
Ky reagim tregon qartë vlerën e madhe të këtij procesi arsimor për fëmijët dhe na kujton se, si një thesar i çmuar, rezultatet e tij do të shihen edhe më plotësisht në të ardhmen. “Deri më tani kemi 107 nxënës të shpërndarë në 5 klasa të ndryshme. Profesorët po bëjnë caktimin përfundimtar të nxënësve, me qëllim hapjen e klasës së gjashtë, e cila do t’u kushtohet nxënësve me njohuri më të avancuara të gjuhës shqipe,” thotë Dedivanaj.
Falënderime të veçanta, shton ai, u takojnë profesorëve Elvira Shkëmbi, Kanto Dushaj, Shaqe Berishaj dhe Kolë Dedivanaj, kontributi dhe profesionalizmi i të cilëve përfaqësojnë një vlerë të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Mirënjohje iu shpreh edhe prindërve, të cilët me mbështetjen dhe përkushtimin e tyre i motivojnë fëmijët të vazhdojnë mësimin e gjuhës shqipe.
Fillimi i mësimdhënies në gjuhën amtare për fëmijët që jetojnë në mërgim dhe rriten në një mjedis shumëgjuhësh, siç është Amerika — ku në shtëpi flasin shqip, ndërsa në shkollë një gjuhë tjetër — përfaqëson një pasuri dhe vlerë të pamohueshme kombëtare për brezin e ri. Një fëmijë në moshë shkollore që di shqip, kur është në mërgim, ruan identitetin e vet. Nëse nuk e di gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar? Na mbetet vetëm të shpresojmë që bashkatdhetarët tanë, kudo që jetojnë në diasporë, do të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe do të bashkohen për të ndihmuar fëmijët të vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe, duke hapur klasa të reja. Gjithçka për shkollën shqipe në diasporë, sepse ajo nderon dhe ngre vetëdijen si komb! /GD




