
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Lagenthal, 06 mars 2026 – Muaji i shenjtë i Ramazanit nuk sjell vetëm përkushtim shpirtëror dhe agjërim për besimtarët myslimanë, por edhe një atmosferë solidariteti, bamirësie dhe bashkimi mes shqiptarëve, kudo që ata jetojnë. Kjo frymë e veçantë ndihet fuqishëm edhe në mërgatën shqiptare në Zvicër, ku gjatë këtij muaji organizohen iftare, vizita dhe takime të shumta mes bashkëkombësve. Një nga aktivitetet që tërhoqi vëmendje të veçantë këto ditë ishte organizimi i një iftari në qytetin e Langenthalit, disa kilometra larg kryeqytetit zviceran Bernë, në një xhami shumë të bukur që është pronë e komunitetit shqiptar. Në këtë mbrëmje të veçantë u mblodhën përfaqësues të komunitetit shqiptar, afaristë, diplomatë dhe veprimtarë të njohur të mërgatës.
Në qendër të organizimeve dhe aktiviteteve të shumta gjatë këtij Ramazani është edhe Florim Useini, kryetari i sapozgjedhur i Rrjetit të Miqësisë Shqiptare në Zvicër. Së bashku me miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, ai pothuajse çdo natë po merr pjesë në iftare dhe vizita të ndryshme nëpër xhami e familje shqiptare, duke përhapur frymën e bashkimit dhe solidaritetit mes bashkëkombësve. Pavarësisht angazhimeve të përditshme në punë dhe lodhjes së ditëve të agjërimit, për shumë prej tyre këto takime janë një kënaqësi e veçantë dhe një mundësi për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve në diasporë.

Në mesin e të pranishmëve në këtë iftar ishte edhe Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri, i cili njihet gjerësisht në komunitetin shqiptar si një figurë shumë e respektuar dhe një nga diplomatët më unifikues të mërgatës tonë. Me natyrën e tij të thjeshtë, modestinë dhe qasjen e ngrohtë ndaj bashkëatdhetarëve, ai arrin të krijojë lidhje të veçanta me secilin, duke lënë gjithmonë një ndjesi të veçantë respekti dhe besimi. Prezenca e tij nuk është vetëm një detyrë diplomatike, por një shenjë e sinqeritetit dhe përkushtimit të tij ndaj komunitetit shqiptar, duke e bërë të ndjehet çdo shqiptar i pranishëm i vlerësuar dhe i mirëpritur.
Mërgata shqiptare në Zvicër tashmë njihet për unitetin dhe bashkëpunimin e saj. Në festa kombëtare e fetare shqiptarët mblidhen gjithmonë së bashku, pa dallime feje apo treve. Në këto takime mund të shohësh pranë njëri-tjetrit shqiptarë nga Prishtina e Shkodra, nga Kërçova e Presheva, myslimanë e katolikë, të gjithë të bashkuar nga gjuha, kultura dhe përkatësia kombëtare – edhe pse historia i ka ndarë padrejtësisht në disa shtete.
Mbrëmja në Langenthal ishte një shembull i bukur i këtij bashkimi
Të pranishëm në iftar ishin personalitete të respektuara të diplomacisë dhe komunitetit shqiptar, ndër ta Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Ermal Dredha, Ambasadori i Maqedonisë së Veriut Rexhep Demiri, Sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë Valon Gashi, si dhe shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin gjithashtu edhe përfaqësues të njohur të biznesit shqiptar në Zvicrën Qendrore, përfshirë kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në këtë rajon, Visar Robelli, si dhe afaristët Afrim Memeti, Shaqir Alushaj, Nadi Zendeli dhe Ibrahim Çekaj. Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe studiuesi dhe veprimtari PhD. Dashnim Hebibi.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe kujtimi i dëshmorëve të kombit. Të pranishmit përkujtuan sakrificën e tyre, sidomos në këto ditë kur shënohet përvjetori i 28-të i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bisedat mes të pranishmëve u theksua se liria e Kosovës ka qenë shumë e shtrenjtë dhe se uniteti mes shqiptarëve mbetet thelbësor për të ardhmen dhe për rrugën drejt integrimeve euroatlantike. Pas iftarit, atmosfera vëllazërore vazhdoi deri në orët e vona të natës në lokalin e afaristit të njohur nga Struga, Naim Maksuti, ku bisedat miqësore dhe shkëmbimi i ideve për forcimin e komunitetit shqiptar në Zvicër krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe shumë të veçantë.
Kryetari i Rrjetit të Miqësisë Shqiptare në Zvicër, Florim Useini, e përshkroi këtë takim me fjalë mirënjohjeje dhe vlerësimi për mikpritjen dhe bashkëpunimin mes bashkëkombësve.

“Sonte, në kuadër të organizimit të rrjetit të miqësisë së iftareve tradicionale dhe udhëtimit nëpër xhami për të vizituar bashkëvendasit dhe miqtë tanë, me synimin për ta forcuar dhe shtrirë edhe më shumë miqësinë mes vëllezërve shqiptarë, patëm nderin të vizitonim xhaminë në Langenthal,” tha ai.
Sipas tij, mikpritja e kësaj mbrëmjeje ishte e jashtëzakonshme dhe u realizua nën përkujdesjen e kryetarit të xhamisë, Ergin Ganiu, nënkryetarit Berat Ajredini dhe imamit Dr. Besim Nuzi. Njëkohësisht ishte kënaqësi e veçantë edhe takimi me imamin mysafir të kësaj mbrëmjeje, Festim Koxhaxhiku. Useini theksoi se qëllimi i këtyre aktiviteteve është që shqiptarët në Zvicër të jenë edhe më të bashkuar mes veti, të jenë mirënjohës ndaj shtetit mikpritës – Zvicrës – dhe njëkohësisht të ruajnë gjuhën, traditat dhe kulturën kombëtare e fetare.
Edhe ambasadorët e pranishëm në këtë iftar vlerësuan lart rolin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke theksuar se komuniteti shqiptar këtu është një mërgatë e fuqishme, e respektuar dhe një shembull pozitiv i integrimit dhe bashkëpunimit. Mbrëmje të tilla, sipas tyre, janë dëshmi se shqiptarët në diasporë jo vetëm që ruajnë traditat dhe identitetin e tyre kombëtar, por edhe forcojnë lidhjet mes njëri-tjetrit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi që i shërbejnë të gjithë komunitetit. Ramazani, kështu, në mërgatën shqiptare në Zvicër vazhdon të jetë jo vetëm një muaj i përkushtimit fetar, por edhe një kohë reflektimi, solidariteti dhe bashkimi kombëtar. ( Foto Florim USEINI)




