Personazh i muajit Mars, gazetare, shkrimtare që frymëzon
Intervistë me znj. Angela Kosta
Angela Kosta është një figurë e shquar në panoramën kulturore italo-shqiptare. Shkrimtare, gazetare dhe promovuese ndërkombëtare,
Angela Kosta jeton në rajonin e Umbrias në Itali. Ajo është një grua e martuar, nënë e mirë e përkushtuar e dy fëmijëve dhe gjyshe e tre nipërve e mbesave: Kristian, Chanel dhe Chloe. Për të, familja mbetet qendra më e çmuar e jetës, burim dashurie, force dhe frymëzimi të pashtershëm.

Ajo përfundoi gjimnazin dhe, megjithëse u bë nënë në moshë të re, nisi studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Rrjedhat e emigrimit, e çuan drejt Italisë.
Megjithatë, për Angela Kostën, universiteti më i madh ka qenë vetë jeta, një shkollë e thellë përvoje, sfidash dhe formimi shpirtëror.
Autodidakte e pasionuar, ajo ka kultivuar përherë dashurinë për librin, mendimin dhe kulturën. Në Itali është ftuar në disa shkolla të mesme si moderatore dhe shkrimtare, ndërsa ka mbajtur gjithnjë lidhje të gjalla me botën e medias, kulturës dhe letërsisë, në dialog të vazhdueshëm me gazetare, këshilltare kulture dhe intelektualë të fushave të ndryshme.
Rrugëtimi i saj dëshmon se dija e vërtetë lind nga etja për të mësuar dhe nga forca e shpirtit që nuk resht së kërkuari dritën e kulturës
Ajo drejton revistën letrare MIRIADE, një pikë referimi për përhapjen e kulturës mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe revistat THE LANTERNS OF POETRY GLOBAL dhe NUANCES ON THE PANORAMIC.
Bashkëpunon me gazeta dhe revista ndërkombëtare, ka botuar poezi, romane dhe përralla për fëmijë të përkthyera në 13 gjuhë.
Tekstet e saj janë botuar në 45 gjuhë dhe vende. Ka përkthyer mbi 1500 tekste letrare dhe ka marrë pjesë në juritë e konkurseve letrare ndërkombëtare. Çmimet e saj përfshijnë “Naji Naaman”, “Oscar Wilde”, çmimin Ekselencë e Letërsisë, si dhe titullin Dr. Honoris Causa nën patronatin e Parlamentit Europian.
-Intervistë
E dashur Angela jeni e mirëseardhur ne Prestige.
Fillojmë intervistën…
Angela, prej sa vitesh shkruani dhe çfarë përfaqëson shkrimi për ju në një dimension më të thellë ekzistencial?
Pasioni im për shkrimin ka filluar që kur isha gjashtë vjeçe. Çdo vjershë që shkrova – fillimisht për nënën, pastaj për Atdheun – ishte një akt ekzistencial: një përpjekje për të kapur atë që ndjej dhe për të komunikuar me botën përtej fjalëve të zakonshme. Shkrimi është për mua oksigjeni i shpirtit; pa të, do të ishte sikur të mos ekzistoja, të mos ndieja dhe të mos përjetoja.
Si ka evoluar mënyra juaj e të shkruarit gjatë rrugëtimit tuaj letrar dhe çfarë ka ndryshuar në qasjen ndaj artit të fjalës?
Kam mbi 23 vjet përvojë në publikim dhe shkrim. Në fillim, më tërhiqnin botët e mrekullueshme të autorëve të rinj dhe klasikë. Sot, çdo vepër është një reflektim filozofik dhe një dialog i brendshëm: secili varg, çdo paragraf, është përpjekje për të kuptuar më thellë jetën dhe për të kapur esencën e emocioneve njerëzore.
Si është organizuar dita juaj dhe si e integroni krijimtarinë në jetën e përditshme?
Dita ime fillon me përkthime dhe redaktime në italisht, shqip, dhe ndonjëherë në dygjuhësh. Pastaj vazhdoj me promovimin e librave dhe përzgjedhjen e poetëve nga e gjithë bota. Çdo veprim, çdo çast i ditës, është i lidhur me reflektimin dhe përpjekjen për të kuptuar dhe për të komunikuar artin.
Si lind tek ju një poezi dhe çfarë fazash filozofike kalon deri në formën finale?
Poezia lind nga një ndjesi, kujtim ose imazh që më prek thellë. Ajo kalon disa faza: frymëzimi, struktura dhe forma, shprehja figurative, redaktimi dhe rafinimi, kulmi dhe mesazhi, dhe përfundimi. Secili varg është një dialog me vetveten dhe me lexuesin; është një pasqyrim i emocioneve dhe reflektimeve mbi botën.
Cili është ndikimi i autorëve bashkëkohorë dhe klasikë në krijimtarinë tuaj?
Leximi është një udhëtim filozofik dhe shpirtëror. Oriana Fallaci më mëson të shikoj botën në thellësi, Federico García Lorca të shpreh emocione universale, dhe John Grisham të kuptoj rrjedhën e jetës dhe dramën njerëzore. Çdo autor është një pasqyrë e shpirtit njerëzor dhe një burim frymëzimi.
A ka pasur sfida editoriale gjatë rrugëtimit tuaj dhe si i keni kapërcyer ato?
Si emigrante, përballja me dyer të mbyllura ishte e pashmangshme. Por çdo derë e mbyllur hap një portë të re. Me këmbëngulje, pasion dhe disiplinë, arrita të krijoj një rrjet bashkëpunimesh dhe të publikoj vepra në Itali dhe jashtë saj.
Si do t’i këshillonit poetët e rinj që të jenë jo vetëm ndjesorë, por edhe më kualitativë në krijimtarinë e tyre?
Të mos nxitohen. Të përjetojnë dhe të meditojnë mbi procesin e të shkruarit. Koha është aleati më i mirë i poezisë. Vargjet duhet të lindin nga thellësia e qenies dhe të jenë pasqyrë e përvojës njerëzore, jo thjesht fjalë për një libër.
Sa libra dhe veprash numëroni deri tani dhe cila mund të quhet më e veçanta për ju?
Kam shkruar 11 romane, 5 dorëshkrime dhe shumë ese. Çdo libër ka pjesën e shpirtit tim dhe është një kapitull i veçantë i rrugëtimit tim. Rëndësi ka përmbajtja dhe reflektimi mbi jetën, jo vetëm forma apo gjuhësia.
Në muajin e grave, cili do të ishte mesazhi juaj filozofik për gratë sot?
Gratë janë shtylla e botës. Ato krijojnë dhe rigjenerojnë jetë, ndikojnë në kulturë, art dhe politikë. Të gjitha gratë duhet të njohin fuqinë e tyre dhe të jenë protagoniste të historisë së tyre, duke reflektuar mbi rolin e tyre në shoqëri dhe në botën e mendimit dhe artit.
Si ndjeheni për çmimet dhe mirënjohjet që keni marrë ndërkombëtarisht?
Çdo çmim dhe titull është një njohje jo vetëm për punën time, por edhe për vlerën e kulturës dhe letërsisë që përpiqem të përhap. Ndjehem e nderuar dhe e frymëzuar të vazhdoj të krijoj dhe të bashkëpunoj me artistë dhe intelektualë nga e gjithë bota.
Cilat janë projektet tuaja aktuale dhe ato të ardhshme?
Do të vazhdoj botimet me revistat periodike dhe librat e rinj. Projekti im është të kapërcej kufijtë e gjuhës dhe kulturës, të ndaj eksperiencat letrare dhe të vazhdoj të reflektoj mbi jetën përmes artit. Shpresoj të realizoj gjithçka me shëndetin e mirë dhe energjinë që më jep krijimtaria.
Ju faleminderit znj. Liliana për vemendjen dhe intervisten.
Ju faleminderit ju e dashur Angela.
#RevistaPresige
#InspirationalDaily
#writeratwork
© 2023 – 2026
Liliana Pere. Founder. Publisher. Author.
Exp.Informatic.
Prestige Magazine.




