BallinaEKSKLUZIVE“Marshi për Liri” mbahet sot në Prishtinë, qytetarët thirren për pjesëmarrje masive

“Marshi për Liri” mbahet sot në Prishtinë, qytetarët thirren për pjesëmarrje masive

-

Prishtinë, 12 shtator – Në Prishtinë sot do të mbahet “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Marshi do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.

Në ditët para organizimit, “Marshi për Liri” ka marrë mbështetje nga qytetarë, organizata, sindikata, institucione dhe figura publike në Kosovë. Solidarizimin me nismën e kanë shprehur edhe përfaqësues të komuniteteve fetare.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kanë shprehur mbështetjen e tyre për nismën dhe mesazhin e saj për unitet e solidaritet.

Mbështetja për marshin është shtrirë edhe te subjektet politike dhe figura të ndryshme publike, ndërsa thirrje për pjesëmarrje janë bërë gjatë ditëve të fundit nga përfaqësues të skenës politike dhe shoqërore në Kosovë.

Organizatorët kanë deklaruar se synojnë që mesazhi i marshit të tejkalojë kufijtë e Kosovës, duke e paraqitur atë si një mobilizim solidariteti të shqiptarëve në hapësirat ku jetojnë.

Kush do të mbajë fjalime?

Në konferencën e fundit për media, përfaqësuesja e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, bëri të ditur se pjesa formale e marshit do të përmbajë fjalime nga përfaqësues të platformës, të shoqatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve do të flasë Lirjona Sylejman, e bija e dëshmorit Bajram Sylejmani.

Fjalime pritet të mbajnë gjithashtu kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, si dhe Buna Mustafa, e bija e Sali Mustafës.

Përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë së bashku me familjet e tyre.

“Le të jetë ky një marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz”, ka deklaruar Tasholli.

Aktivitetet vazhdojnë edhe në Hagë

Aktivitetet e platformës “Liria ka Emër” nuk pritet të përfundojnë me marshin e sotëm në Prishtinë.

Sipas organizatorëve, më 15 shtator, nga ora 22:00, mbështetësit do të mblidhen në Hagë për aktivitetin e quajtur “Nata e Pritjes”.

Ndërsa mëngjesin e 16 shtatorit, ata do ta përcjellin së bashku seancën e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Organizatorët kanë bërë thirrje që marshimi i sotëm të zhvillohet në mënyrë paqësore, familjare dhe dinjitoze, duke synuar që përmes pjesëmarrjes qytetare të përcillet mesazhi i solidaritetit dhe mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

A ka para kriminale në Zvërnec? Rama vë ‘dorën në zjarr’...

0
Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me projektin e Zvërnecit, ku SPAK ka ngrirë transaksionin për blerjen e tokave nga Artur Shehu, prej...