BallinaEKSKLUZIVE“Liria Ka Emër”: Rreth 100 mijë qytetarë marshuan në Prishtinë për ish-krerët...

“Liria Ka Emër”: Rreth 100 mijë qytetarë marshuan në Prishtinë për ish-krerët e UÇK-së

-

Prishtinë – Rreth 100 mijë qytetarë nga Kosova, trojet shqiptare dhe diaspora iu bashkuan të shtunën Marshit për Liri në Prishtinë, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Platforma qytetare “Liria Ka Emër”, e cila qëndron pas organizimit, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e marshit, duke e cilësuar atë si një manifestim të madh, paqësor dhe dinjitoz.

Sipas organizatorëve, në marsh morën pjesë qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës, shqiptarë nga trojet dhe bashkatdhetarë nga diaspora. Pjesëmarrësit, sipas platformës, u bashkuan rreth një mesazhi të vetëm: “Liri për çlirimtarët!”

“Falënderojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat, vullnetarët dhe secilin që kontribuoi që ky marsh të ishte një manifestim i madh, paqësor dhe dinjitoz”, thuhet në reagimin e platformës.

Organizatorët kanë theksuar se tubimi synoi të përcjellë një mesazh solidariteti me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, ish-zëdhënësin politik të UÇK-së Jakup Krasniqi dhe ish-komandantin Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Hagë.

Sipas “Liria Ka Emër”, pjesëmarrja masive e qytetarëve është dëshmi se çështja e luftës së UÇK-së vazhdon të mbetet e ndjeshme dhe me rëndësi të veçantë për shoqërinë kosovare.

“Sot Kosova dëshmoi edhe një herë se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë”, thuhet në njoftim.

Platforma e ka cilësuar marshin edhe si një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe mënyrën se si duhet të trajtohet historia e Kosovës.

Në përfundim të reagimit, “Liria Ka Emër” u është drejtuar qytetarëve duke vënë theksin te 16 shtatori, datë të cilën e lidh me pritshmëritë për vendimin në procesin gjyqësor në Hagë.

“Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë: Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin”, thuhet në reagim.

Platforma e ka mbyllur deklaratën me thirrjen: “Në emër të popullit, shpalleni të pafajshëm!”, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

A ka para kriminale në Zvërnec? Rama vë ‘dorën në zjarr’...

0
Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me projektin e Zvërnecit, ku SPAK ka ngrirë transaksionin për blerjen e tokave nga Artur Shehu, prej...