POSTIMET E FUNDIT

Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë në Grand Prix të Qingdaos, nis me sukses rrugëtimin drejt Los Angeles 2028

Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka vazhduar të dëshmojë formën e saj të shkëlqyer në arenën ndërkombëtare, duke fituar medaljen e bronztë në Grand Prix-in e xhudos që u zhvillua në Qingdao të Kinës. Ky sukses përfaqëson një tjetër rezultat të rëndësishëm për sportin e Kosovës dhe një hap të madh në rrugën e saj drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Në konkurrencën e kategorisë deri në 63 kilogramë, Fazliu zhvilloi paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë turneut. Në ndeshjen vendimtare për medaljen e bronztë, ajo triumfoi ndaj bjelloruses Yana Makretskaya, duke fituar me rezultat “waza-ari” dhe duke siguruar kështu vendin në podium. Rrugëtimi i xhudistes kosovare nisi me fitore bindëse ndaj gjermanes Sara-Joy Bauer, ndërsa në raundin pasues eliminoi turken Ozlem Yildiz me “ippon”, duke treguar superioritet teknik dhe fizik. Në çerekfinale, Fazliu u përball me japonezen Narumi Tanioka, në një duel jashtëzakonisht të fortë që zgjati plot 7 minuta e 44 sekonda. Pas një gare dramatike dhe shumë të luftuar, xhudistja kosovare u mposht, por nuk u dorëzua.

Përmes repesazhit, Laura tregoi karakter kampioneje. Fillimisht mposhti italianen Thauany Capanni Dias, ndërsa më pas në luftën vendimtare për medalje ishte më e mirë se Makretskaya, duke siguruar medaljen e bronztë për Kosovën. Ky është suksesi i dytë i rëndësishëm për Fazliun gjatë vitit 2026, pas medaljes së argjendtë të fituar në Grand Prix të Austrisë më 6 mars. Rezultatet e saj konfirmojnë se ajo vazhdon të jetë një nga emrat më të rëndësishëm të xhudos kosovare në skenën botërore. Përveç medaljes, vendi i tretë në Qingdao i ka sjellë Laurës edhe 350 pikë olimpike, duke i siguruar pikët e para në ciklin kualifikues për Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”. Ky është një hap i rëndësishëm në objektivin e saj për të siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe sportive në botë. Kosova u përfaqësua në këtë Grand Prix me pesë xhudistë. Përveç medaljes së Laurës, Dardan Cena dhe Erza Muminoviq arritën të regjistrojnë nga një fitore, ndërsa Fatjona Kasapi dhe Flaka Loxha u eliminuan në raundet e para të garës.

Në Grand Prix të Qingdaos morën pjesë rreth 500 xhudistë nga 57 shtete, duke e bërë këtë një nga turnetë më të fortë të kalendarit ndërkombëtar të xhudos. Medalja e Laura Fazliut është një tjetër dëshmi e nivelit të lartë të xhudos kosovare dhe e punës së vazhdueshme që po jep rezultate në skenën botërore, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB