
Përgatiti Dashnin HEBIBI
Një mbrëmje mirënjohjeje për arsimin shqip në Cyrih
Zürich, 07 mars 2026 – Një atmosferë e ngrohtë, plot respekt dhe emocione shoqëroi mbrëmjen festive të organizuar në Restaurant Glatthof me pronarë shqiptarë nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” Zürich, në kuadër të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe 35-vjetorit të shkollës shqipe në diasporë në kantonin e Cyrihut.

Në këtë mbrëmje morën pjesë rreth 50 të ftuar: mësuese e mësues të shkollës shqipe, veteranë të arsimit, diplomatë, shkencëtarë, artistë dhe afaristë shqiptarë që ndër vite kanë dhënë kontribut për zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.

Prof. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Kt.Cyrih
Mysafirët u pritën me shumë përzemërsi nga kryetari i LAPSH-it për kantonin e Cyrihut, Naser Ulaj, së bashku me stafin e tij. Ata i mirëpritën të pranishmit me një përkujdesje të veçantë, sikur të ishin në një dasmë familjare shqiptare. Atmosfera ishte aq e ngrohtë dhe festive, sa shumë prej të pranishmëve e përshkruan si një mbrëmje që vështirë mund të përshkruhet me fjalë.
Si një familje e madhe shqiptare
Një element i veçantë i kësaj mbrëmjeje ishte fryma familjare që mbizotëroi gjatë gjithë aktivitetit. Mësueset dhe mësuesit kishin ardhur të shoqëruar nga bashkëshortet dhe bashkëshortët e tyre, duke krijuar një atmosferë të bukur bashkimi, respekti dhe miqësie – si një familje e madhe shqiptare që feston së bashku. Programi artistik i organizuar nga LAPSH-i solli këngë dhe valle shqiptare, të cilat i dhanë mbrëmjes një dimension kulturor dhe emocional. Ndërkohë, darka e shtruar me shumë përkushtim nga pronari i restorantit u vlerësua shumë nga të pranishmit për cilësinë dhe mikpritjen.

Mbrëmjen e drejtoi me mjeshtri z.Gëzim Kasumaj, personalitet i njohur i fjalës, besës dhe një nga figurat organizative të LAPSH-it për Cyrih
Nderime dhe mirënjohje për mësuesit
Një moment i veçantë ishte nderimi i mësueseve dhe mësuesve të shkollës shqipe për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë. Ata u vlerësuan me mirënjohje, dhurata simbolike dhe lule të freskëta, si shenjë falënderimi për punën e palodhshme me brezat e rinj. Emocione të veçanta solli edhe fjala e veteranit të arsimit dhe ish-kryetarit të LAPSH-it, Hamzë Morina, i cili ndau kujtime nga vitet e para të organizimit të shkollës shqipe në diasporë dhe sakrificat e brezit të mësuesve që e mbajtën gjallë arsimin shqip larg atdheut.

Mesazhe përkrahjeje dhe diskutime për të ardhmen
Në këtë mbrëmje festive nuk munguan as telegramet përgëzuese. Përshëndetje dhe urime erdhën nga Shkolla Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri” Bern si dhe nga mësuesit e shkollës shqipe në Ticino, të cilët përgëzuan kolegët e tyre për punën dhe përkushtimin në shërbim të arsimit shqip, por jo edhe nga LAPSH-i në nivel Zvicre. Gjatë takimit u diskutua edhe për situatën aktuale të shkollës plotësuese shqipe në kantonin e Cyrihut dhe në përgjithësi në Zvicër. Të pranishmit theksuan nevojën për bashkëpunim më të madh me prindërit dhe komunitetin shqiptar, në mënyrë që numri i nxënësve në shkollat shqipe të rritet dhe të forcohet edhe më shumë roli i arsimit në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Një mision që duhet përkrahur
Mbrëmja festive në Glattbrugg dëshmoi edhe një herë se puna e Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” Zürich është një shtyllë e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Ishte një mbrëmje e mbushur me respekt, mirënjohje dhe emocione – një dëshmi se arsimi shqip në diasporë jeton falë përkushtimit të mësuesve dhe mbështetjes së komunitetit.
Kush ishte i pranishëm, çfarë u diskutua më në detaje dhe emocionet e pjesëmarrësve do të publikohen së shpejti në një reportazh të zgjeruar në HelveticALForum.ch.




