Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për, pa asnjë kundër dhe pa abstenime, Rezolutën për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999. Kjo rezolutë, e prezantuar nga deputeti i PDK-së, Nait Hasani, synon të forcojë narrativën zyrtare mbi luftën dhe përfshin edhe nismën për ndëshkimin e atyre që mohojnë ose minimizojnë krimet e kryera gjatë kësaj periudhe.
Miratimi i saj erdhi pas polemikave të shkaktuara nga një ekspozitë në Prishtinë, e cila sipas deputetëve përmbante të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë. Deputetët nga të gjitha partitë parlamentare u dakorduan për rëndësinë e ruajtjes së së vërtetës historike, duke e konsideruar këtë një çështje me interes kombëtar.
Ndërkohë, Kuvendi nuk arriti të miratojë rezolutën e propozuar nga LDK lidhur me rritjen e çmimeve të naftës. Kjo rezolutë mori vetëm 34 vota pro, ndërsa 49 deputetë votuan kundër dhe 7 abstenuan. Propozimi parashihte uljen e përkohshme të akcizës dhe TVSH-së për karburantet, si dhe subvencione për sektorët më të prekur si bujqësia, transporti publik dhe prodhimi vendor.
Seanca plenare u karakterizua edhe nga përplasje politike mes pozitës dhe opozitës, veçanërisht për çështjen e pagës së 13-të dhe mbështetjen për sektorin privat. Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi qeverinë për mungesë të mbështetjes direkte ndaj punëtorëve të sektorit privat, duke theksuar se ndihmat sociale nuk zëvendësojnë politikat zhvillimore për këtë sektor.
Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, mbrojti politikat e qeverisë, duke theksuar se paga e 13-të është përgjegjësi e punëdhënësve në sektorin privat dhe duke shprehur gatishmëri për ta rregulluar këtë çështje me ligj. Ai gjithashtu përmendi mbështetjen financiare për familjet dhe rritjen e planifikuar të pagës minimale.
Gjatë seancës, deputetët diskutuan edhe për respektimin e Kushtetutës, një ditë pas shënimit të përvjetorit të saj, duke bërë thirrje për zbatim më rigoroz të saj në praktikë. Nga opozita u kërkua gjithashtu më shumë transparencë nga qeveria lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare dhe zhvillimet politike në vend.
Seanca u zhvillua në një atmosferë debatesh të shumta, duke reflektuar ndarjet politike për çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të vendit, transmeton rtk, përcjell helveticALForum.ch.




