Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Deklarata është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti është harmonizuar me të gjitha grupet parlamentare shqiptare në Kuvend.
Nëpërmjet deklaratës, Kuvendi shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me aktgjykimin dhe ngre pretendime për mungesë transparence dhe mospërmbushje të standardeve të gjykimit të drejtë. Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin e gjykatës për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe përgjegjësinë që, mbi këtë përfundim, u është atribuuar të akuzuarve.
Kërkohet strategji shtetërore
Në deklaratë, Kuvendi u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e asaj që e konsideron të vërtetën dhe pastërtinë e luftës çlirimtare.
Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshinte veprime juridike, institucionale dhe diplomatike në lidhje me zhvillimet në Dhomat e Specializuara.
Kuvendi rikujton rrethanat në të cilat, sipas deklaratës, u zhvillua lufta e UÇK-së, duke iu referuar represionit dhe krimeve të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
Në tekstin e miratuar theksohet gjithashtu roli i ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimi i saj me UÇK-në gjatë luftës.
Kuvendi kundërshton interpretimin e luftës së UÇK-së
Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me mandatin e Dhomave të Specializuara. Kuvendi vlerëson se kjo gjykatë ka tejkaluar mandatin për të cilin, sipas deklaratës, Kuvendi i Kosovës kishte pranuar themelimin e saj.
Në këtë kuadër, Kuvendi kundërshton çdo përpjekje që, sipas tij, mund të çojë në përmbysjen e së vërtetës historike të Kosovës apo në vënien në dyshim të luftës çlirimtare.
Në përmbyllje, Kuvendi zotohet të mbrojë atë që e konsideron të vërtetën e luftës çlirimtare, ndërsa njëkohësisht thekson të drejtën e personave të dënuar për një proces gjyqësor të drejtë dhe në përputhje me standardet e kërkuara.
Miratimi i deklaratës me votim unanim vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së dhe shënon qëndrimin e Kuvendit të Kosovës ndaj këtij vendimi dhe procesit gjyqësor në Hagë, transmeton rtk.










