Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur Kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ekipin e xhudos së Kosovës, pas suksesit të tyre në Lojërat Mesdhetare në Taranto. Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se gjatë takimit kanë diskutuar për rezultatet e xhudistëve kosovarë, të cilët Kosovës i sollën një medalje të argjendtë dhe katër të bronzta.
“Bashkë me Kryemjeshtrin Driton Kuka dhe ekipin e xhudos, folëm për suksesin e radhës të sportit që tash e shumë vite po e mban Kosovën në mesin e më të mirëve në botë”, ka shkruar Kurti.
Në Lojërat Mesdhetare në Taranto, Laura Fazliu fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj u kthyen me medalje të bronzta.
Sipas Kurtit, rezultatet e xhudos janë fryt i punës së gjatë, disiplinës dhe profesionalizmit, duke theksuar se sukseset e mëdha nuk vijnë rastësisht.
Takimi, sipas tij, është fokusuar edhe në periudhën që pason Lojërat Mesdhetare në Taranto dhe përgatitjet e Kosovës drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Diskutuam rezultatet dhe analizat e para nga Lojërat Mesdhetare, çfarë duhet të mësojmë prej tyre dhe hapat që duhet t’i ndërmarrim në katër vitet që na ndajnë nga Prishtina 2030”, ka theksuar Kurti.
Ai ka vlerësuar se xhudoja ka dëshmuar se Kosova mund të arrijë rezultate të mëdha kur talenti shoqërohet me punë afatgjatë, profesionalizëm dhe standarde të larta, duke shtuar se synimi është forcimi i kësaj kulture të rezultatit në të gjithë sportin kosovar.
Kurti në fund ka uruar medalistët, Kryemjeshtrin Driton Kuka, trajnerët Majlinda Kelmendi e Fatos Tabaku dhe të gjithë ekipin e xhudos së Kosovës për sukseset e arritura./BSot










