Kryeministri i Albin Kurti ka uruar qytetarët me rastin e festës së Fitër Bajrami, duke përcjellë një mesazh urimi dhe reflektimi për këtë ditë të shenjtë. Në mesazhin e tij, ai uroi që agjërimi dhe lutjet e besimtarëve të jenë pranuar, ndërsa e cilësoi këtë festë si një moment gëzimi, begatie dhe afrimi me më të dashurit.
“Mirëmëngjes dhe me fat të gjithëve Fitër Bajrami! Uroj që agjërimi dhe lutjet tuaja të jenë pranuar”, shkroi Kurti, duke theksuar se kjo ditë duhet të na gjejë më falënderues për të mirat që kemi, më solidarë me ata që kanë më pak dhe më të përkushtuar për përmirësim si individë dhe si shoqëri.
Një theks të veçantë në urimin e tij, kryeministri i kushtoi kujdesit ndaj fëmijëve, duke i cilësuar ata si “amanet i shenjtë”. Ai nënvizoi se kujdesi i vërtetë nuk fillon nga shërimi, por nga mbrojtja – në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre.
“Në këtë ditë Bajrami, kur mëshira zbret dhe zemrat pastrohen, le të kujtojmë se fëmijët janë amanet i shenjtë. Kujdesi i vërtetë nuk lind nga shërimi, por nga mbrojtja – në ushqimin që u japim, në trupin që ua mbrojmë dhe në dijen që ndriçon mendjen e shpirtin e tyre. Le të mos presim sprovën për të treguar mirësi, respekt dhe përkushtim ndaj fëmijëve”, përfundoi Kurti, transmeton rtk.




