5 C
Zurich
Tuesday, February 17, 2026
spot_img
spot_img

Kurti: “Nuk e rishkruajmë historinë, UÇK-ja bëri luftë të drejtë çlirimtare”

EKSKLUZIVE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se në ditën e festës shtetërore nuk mund të mbyllen sytë para padrejtësive, duke iu referuar proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të luftës së UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Gjatë fjalimit në ceremoninë e parakalimit të Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës, Kurti tha se disa nga drejtuesit e luftës çlirimtare po përballen me procese që i cilësoi si jo transparente dhe të pashembullta për praktikat e drejtësisë ndërkombëtare.

“Ne besojmë në drejtësi, por nuk pranojmë të rishkruajmë historinë. Lufta e UÇK-së ishte luftë e kulluar çlirimtare dhe antikolonialiste, një luftë e drejtë e një populli të okupuar e të shtypur”, u shpreh ai, duke theksuar se kjo e vërtetë, sipas tij, nuk mund të ndryshohet.

- Reklama -

Duke folur për rrugëtimin e shtetësisë, Kurti tha se liria e Kosovës nuk nisi vetëm para 18 vitesh me shpalljen e pavarësisë, por është ngjizur ndër breza me përpjekje të pandërprera. Ai theksoi se lufta e UÇK-së, së bashku me ndërhyrjen e NATO-s kundër Jugosllavisë së udhëhequr nga Slobodan Milošević, i dha fund një regjimi shtypës dhe hapi rrugën drejt shtetësisë.

Kryeministri nderoi dëshmorët dhe të rënët për liri, duke thënë se ata përbëjnë themelet e Republikës. Sipas tij, Kosova e vitit 2026 është më e fortë dhe më e sigurt se në çdo periudhë tjetër gjatë 18 viteve të pavarësisë.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rritjen e investimeve në sektorin e mbrojtjes, duke bërë të ditur se shpenzimet për ushtrinë janë shumëfishuar dhe numri i pjesëtarëve të FSK-së është rritur. Ai përmendi investime mbi 450 milionë euro për armatim modern, automjete ushtarake, municion dhe sisteme komunikimi, si dhe ndërtimin e infrastrukturës në kazermat ekzistuese dhe lokacione të reja strategjike.

- Advertisement -

Po ashtu, ai njoftoi për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përfshirë fabrikën e prodhimit të municioneve, duke theksuar se këto projekte do të forcojnë vetëqëndrueshmërinë e institucioneve të sigurisë dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kurti shtoi se janë zgjeruar partneritetet strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s, si dhe është forcuar bashkëpunimi rajonal me Shqipërinë dhe Kroacinë.

Ai theksoi se FSK-ja po zhvillohet si ushtri profesionale e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, ndërsa Policia e Kosovës mbetet një nga institucionet më të besueshme në vend.

Në fund, Kurti u shpreh se parada nuk ishte demonstrim force ndaj askujt, por dëshmi e modernizimit dhe pjekurisë së shtetit të Kosovës, si dhe e përkushtimit për paqe dhe siguri në rajon e më gjerë, transmeton rtk.

- Reklama -
- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

- Reklama -spot_img

Të ngjashme