4.1 C
Zurich
Wednesday, January 21, 2026
spot_img
spot_img

Kur lodrat mungojnë, imagjinata rritet: eksperiment interesant në kopshtet e Zvicrës

Duhet ti lexosh

Në disa kantone të Zvicrës po testohet aktualisht një qasje e pazakontë pedagogjike: “kopshti pa lodra”. Për një periudhë tre mujore, nga ambientet e grupeve hiqen të gjitha lodrat klasike si lego, kukulla, makina apo lojëra të gatshme. Në vend të tyre, fëmijëve u ofrohen batanije, kartonë, materiale natyrore dhe, mbi të gjitha, hapësirë e lirë për të menduar, krijuar dhe bashkëpunuar.

Qëllimi i këtij projekti është forcimi i kompetencave jetësore të fëmijëve, si komunikimi, empatia, kreativiteti, të menduarit kritik dhe aftësia për të zgjidhur konfliktet. Nisma mbështetet, ndër të tjera, nga organizata për parandalimin e varësive në kantonin Aargau.

“Edhe mërzia mund të jetë e dobishme”

Susanne Wasserfallen, eksperte nga kjo organizatë, shpjegon se largimi i lodrave krijon hapësirë për zhvillim të brendshëm:
“Kur kukullat, makinat apo lodrat e tjera ‘shkojnë me pushime’, fëmijët fitojnë më shumë kohë dhe liri për të eksploruar, imagjinuar dhe mësuar”, shprehet ajo për 20min.ch.

Fëmijët vendosin vetë se si ta organizojnë lojën dhe aktivitetet e tyre. Shpesh vërehet se ata zhvillojnë ide të reja dhe bashkëpunim të thelluar. Disa kanë nevojë për më shumë mbështetje, por edhe kjo është pjesë e procesit. “Edhe mërzia nuk është domosdoshmërisht diçka negative – shumë ide kreative lindin pikërisht nga ajo”, thekson Wasserfallen.

Një rol më i madh për edukatorët

Ky koncept kërkon përkushtim dhe vëmendje të shtuar nga edukatorët. Ata duhet të vëzhgojnë me kujdes fëmijët dhe të ndërhyjnë vetëm kur është e nevojshme. Aktiviteti i vetëm i strukturuar mbetet biseda e përditshme në fund të ditës, ku fëmijët reflektojnë mbi përjetimet dhe ndjenjat e tyre. Edhe pushimi i vogël (znüni) organizohet në mënyrë të lirë.

Shqetësimet e prindërve dhe rëndësia e besimit

Disa prindër shprehin shqetësim se fëmijët mund të mërziten ose të mos jenë të stimuluar mjaftueshëm. Ekspertja këshillon dialog të hapur: shumë nga këto frikëra burojnë më tepër nga të rriturit sesa nga vetë fëmijët. Ajo nënvizon se besimi ndaj fëmijëve është thelbësor për suksesin e projektit.

Më sfiduese për disa fëmijë

Sipas Wasserfallen, veçanërisht fëmijët më të vegjël përfitojnë shumë nga kjo periudhë pa lodra. Megjithatë, për fëmijët neurodivergjentë – ata që perceptojnë ose ndjejnë ndryshe – kjo qasje mund të jetë më sfiduese. Për ta rekomandohet përgatitje e mirë dhe bashkëpunim i ngushtë mes prindërve dhe stafit edukativ, transmeton 20min.ch. Edhe pse koncepti nuk është ende pjesë zyrtare e planprogramit kombëtar “Lehrplan 21”, disa kantone si Aargau, Cyrih, Lucern dhe Solothurn e kanë integruar atë në praktikat e tyre. Suksesi, sipas ekspertes, varet kryesisht nga motivimi dhe angazhimi i edukatorëve.

Pas tre muajsh, lodrat rikthehen në kopshte. Ndërsa disa fëmijë gëzohen, të tjerë shprehen se nuk ndjejnë më nevojë për to – një tregues i qartë se imagjinata dhe loja e lirë kanë marrë rolin kryesor, transmeton 20min.ch, përgatiti helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme