Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka zhvilluar një vizitë 2-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kësaj vizite në Uashington DC, në të cilën shoqërohej nga Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, Romelda Rrapollari, Krasniqi është pritur në Departamentin e Shtetit nga Zyrtari për çështjet për Shqipërinë, John W Robbins, Zyrtari për Diplomacinë Publike për Çështjet e Europës Qendrore, Michael Marble dhe Zyrtari për Iniciativat e Politikave Ndërkombëtare, Evan Lord.
Temat e diskutimit në këtë takim kanë qenë transparenca e pronësisë së medias, transpozimi në legjislacionin shqiptar i akteve të rëndësishme europiane dhe iniciativa të tjera ligjore që synojnë rregullimin e mëtejshëm të tregut mediatik.
Kryetarja Krasniqi u ka bërë me dije iniciativat e deritanishme të AMA-s që synojnë rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove dhe sfidat që paraqet ky rregullim. Gjithashtu është diskutuar mbi fenomenet negative si dezinformimi e gjuha e urrejtjes në të gjitha format me të cilat ajo shfaqet, mbi integritetin e informacionit dhe çështje të tjera që lidhem me ambientin mediatik në Shqipëri.
“Kjo vizitë i shërben institucionit tonë, i cili tashmë nuk është më vetëm një përfitues, por edhe kontribues i politikave lidhur me integritetin e informacionit dhe lirinë e medias”, ka thënë Krasniqi pas kësaj vitzite.
Gjithashtu gjatë qëndrimit në Uashington, Krasniqi ka marrë pjesë në ceremoninë e zgjedhjes së presidentit të ri të “The National Press Club” (Klubi Kombëtar i Medias), që është edhe organizata më e rëndësishme mediatike në SHBA. Gjatë ceremonisë, Krasniqi është takuar me figura të njohura të medias amerikane.
“Të gjithë gazetarëve shqiptarë ju them se “The National Press Club”, bashkë me shumë organizma në Europë, ju mbështet”, i është drejtuar me një mesazh gazetarëve shqiptarë, Mark Schoeff Jr, Presidenti i sapozgjedhur, i 119-ti i Klubit Kombëtar Amerikan të Gazetarëve. “Ne do të luftojmë për të mbrojtur të drejtën tuaj për të raportuar rreth Shqipërisë dhe për të informuar qytetarët shqiptarë për çka ndodh aty dhe përreth”.
Ndërkaq ndalesa e radhës e Kryetares së AMA-s në Uashington ka qenë në Universitetin John Hopkins. Aty është takuar me Prof. Asc. Edward P Joseph, dhe stafin e editorëve të revistës shkencore të kësaj qendre, kryeredaktoren Clarisa Merkatz, editorin Frank Gamez dhe menaxheren editoriale, Alexandra Venegas. Temë e bisedës kanë qenë sfidat e tregut mediatik dhe ndikimi i teknologjisë. Gjatë takimit Krasniqi u ka bërë me dije punën rregullatore të AMA-s në tregun mediatik audioviziv, përshtatjet me ndryshimet digjitale dhe fenomenet shqetësuese që vihen re sot në media.
SIAS është një qendër me ndikim në ekspertizën mediatike dhe diplomaci. Kjo vizitë në një nga qendrat kryesore të Universitetit prestigjioz John Hopkins është një hap i parë i hedhur drejt studimeve dhe projekteve të përbashkëta rregullatore. Kjo është vizita e dytë e Krasniqit në DASH, pas asaj të vitit 2022, transmeton rtsh.




