Me rastin e 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas, Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Loreta Schillock, organizoi një mbrëmje letrare dhe promovimin e dy veprave:
“Vetëharrimi” – monodramë e Prof. Dr. Besim Rexhaj, që trajton identitetin, traumën dhe pasojat e luftës në Kosovë, si dhe poemës,
“Unë, kufoma e ardhshme”, e autores Kaltrina Pacolli, një reflektim i thellë mbi brishtësinë dhe përvojën njerëzore.

Në prani të dhjetëra pjesëmarrësve, përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe komunitetit shqiptar dhe atij gjermanë, aktiviteti u zhvillua me diskutime mbi rëndësinë e të drejtave me bazë gjinore, letërsinë bashkëkohore dhe realitetin shoqëror të trajtuar në këto dy vepra.
Gjatë aktivitetit, udhëheqësi i Konsullatës, z. Hamdi Bërbatovci, theksoi rëndësinë e kësaj dite dhe fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke nënvizuar se dhuna ndaj gruas mbetet një plagë e thellë shoqërore dhe se lufta kundër saj kërkon veprim, përgjegjësi dhe solidaritet. Ai përmendi angazhimin e institucioneve të Kosovës përmes strategjisë nacionale kundër dhunës në familje, ndryshimeve ligjore, si edhe organizimin e përvitshëm të forumit ndërkombëtar “WPS”.
Në përmbyllje, u bë thirrje që mesazhi i kësaj mbrëmjeje të bartet në familje dhe shoqëri, si angazhim i përbashkët ku çdo grua dhe vajzë jeton e lirë nga dhuna.

Konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit dhe do të vazhdojë të promovojë kulturën, artin dhe letërsinë shqipe, njofton Konsullata e Republikës së Kosovës në Stuttgart, transmeton helveticALforum.ch




