Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër në detyrë, Albin Kurti, e ka thyer rekordin e tij që e kishte vendosur në zgjedhjet e 9 shkurtit, si lideri më i votuar. Nga numërimi i 96. 17 përqind të votave për deputetë, Kurti ka marrë 338 mijë 731 vota.
Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit, Kurti fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).
Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ende s’janë numëruar votat e diasporës, ato me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Lista e LDK-së për deputetë: Dy kandidatë ndërrojnë vendet, Gashi ngec
Teksa numërimi i votave për deputetë po shkon drejt fundit, gara në listën e LDK-së vazhdon të mbetet interesante.
Ermal Sadiku i cili renditej i 15-ti me vota, tashmë ka tejkaluar Fadil Hadërgjonajn dhe ndodhet në pozitën e 14-të si më i votuari.
Sadiku deri tani ka 15 mijë e 86 vota derisa Hadërgjonaj 15 mijë e 17 vota. Arben Gashi ka ngecur mbrapa me vota, dhe tani ka rreth 500 vota më pak se Hadërgjonaj.
KQZ publikon rezultatet e para nga votimi në ambasada dhe konsullata
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur publikimin e rezultateve nga votimi i qytetarëve të Kosovës në ambasada dhe konsullata diplomatike.
Deri më tani janë numëruar 17 nga 40 kuti të votimit, apo 42.50 për qind e totalit.
Sipas rezultateve preliminare të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje kryeson bindshëm edhe në votimin diplomatik, duke marrë shumicën dërrmuese të votave.
Rezultatet e deritanishme nga votimi në ambasada dhe konsullata:
Lëvizja Vetëvendosje – 85.21 për qind, 3,399 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 6.09 për qind, 243 vota
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 5.69 për qind, 227 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 1.58 për qind, 63 vota
Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) – 0.68 për qind, 27 vota
Nisma Socialdemokrate – 0.33 për qind, 13 vota
Numërimi i votave nga ambasadat dhe konsullatat pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të procesit të plotë të numërimit. Këto vota mund të kenë ndikim në renditjen përfundimtare të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë./BSot




