VJENË – Përfaqësuesja e Kosovës në futboll zbret sonte në fushë në Vjenë, ku do të përballet me Austrinë në sfidën e dytë të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Dardanët e presin këtë përballje me moral të lartë, pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, tri ditë më parë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërkohë, Austria vjen në këtë takim pas fitores 3-1 ndaj Izraelit. Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore këtë edicion, duke e bërë përballjen e sotme edhe më të rëndësishme për vazhdimin e garës.
Foda: Detajet do ta vendosin ndeshjen
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media para ndeshjes ka vlerësuar forcën e Austrisë, por ka bërë të qartë se skuadra e tij është e përgatitur për sfidën.
“E kemi analizuar lojën e tyre. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur kur isha unë. E di çfarë na pret. Austria luan në mënyrë agresive, bën presion të lartë, prandaj duhet të bëjmë kundërpresion. Ne jemi të përgatitur, por në fushë do të vendosin detajet”, ka deklaruar Foda. Austria konsiderohet favorite në grup, ndërsa Kosova synon të tregojë se mund të konkurrojë edhe ndaj kundërshtarëve më të fortë.
Vojvoda: Jemi gati
Edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda ka shprehur optimizëm para duelit në Vjenë.
“Ekipa është në gjendje të mirë dhe jemi gati për nesër”, ka thënë Vojvoda.
Ai ka theksuar se objektivi i Kosovës mbetet pjesëmarrja në një turne të madh ndërkombëtar, duke parë Ligën e Kombeve si një mundësi të rëndësishme për të arritur këtë synim.
“Synimi gjithmonë ka qenë që të kualifikohemi në një turne të madh. Pak nga pak jemi afruar, por shpresoj që tani me Ligën e Kombeve të kemi një shans më shumë në play-off. Austria ka eksperiencë dhe është favorite, por edhe ne i kemi shanset tona”, ka deklaruar mbrojtësi kosovar.
Tri pikë për të dyja skuadrat në ndeshjet e para
Kosova dhe Austria e kanë nisur edicionin me fitore. Dardanët triumfuan 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa Austria e mposhti Izraelin me rezultat 3-1. Për Kosovën, një rezultat pozitiv në Vjenë do të ishte një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Dardanët tashmë e kanë lënë pas fitoren ndaj Irlandës dhe janë të fokusuar në një tjetër përballje të vështirë, këtë herë ndaj Austrisë, në një stadium ku pritet një atmosferë e fortë. Ndeshja Austri–Kosovë zhvillohet sonte në Vjenë dhe nis në orën 18:00, transmeton rtk.










