Përfaqësuesja e Kosovës rikthehet sonte në fushë, teksa në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve do të përballet me Izraelin.
“Dardanët” do të zhvillojnë ndeshjen e tretë të këtij edicioni në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen të Hungarisë, me fillim nga ora 20:45. Përfaqësuesja e Kosovës synon të rikthehet te fitorja pas humbjes 3:1 ndaj Austrisë në ndeshjen e fundit. Në takimin hapës të këtij edicioni, Kosova kishte triumfuar 1:0 ndaj Irlandës. Në prag të përballjes me Izraelin, trajneri Franco Foda ka vlerësuar cilësitë e kundërshtarit, veçanërisht individualitetin e futbollistëve të tij.
“Natyrisht që Izraeli është skuadër shumë e fortë, pavarësisht rezultateve që i ka treguar në dy ndeshjet e fundit. Kanë futbollistë shumë të mirë, në aspektin teknik janë shumë të shpejtë, siç janë Manor Solomon dhe Oscar Gloukh. Prandaj presim ndeshje shumë të fortë, por normalisht që ne do të luajmë sa më agresiv që të mundemi në këtë përballje”, është shprehur Foda.
Përfaqësuesja e Kosovës kërkon një rezultat pozitiv për të vazhduar garën në grup me objektivin për të siguruar një pozicion sa më të mirë në renditje.
Në prag të kësaj sfide, edhe Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë thirrje për mbështetje nga tifozët, duke përcjellë mesazhin: “Forca Kosovë!” Sfida ndaj Izraelit pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për “Dardanët”, të cilët do të kërkojnë të reagojnë pas disfatës ndaj Austrisë dhe të rikthehen te rezultatet pozitive në Ligën e Kombeve, transmeton rtk.










