
Nga Meti Krasniqi, Luzern
Pamjet që po shohim sot në gjithë Kosovën janë të rënda dhe të dhimbshme. Shtëpi të përmbytura, biznese të shkatërruara, rrugë të pakalueshme dhe familje që brenda pak orësh humbin atë që kanë ndërtuar për vite me radhë. Kjo nuk është thjesht një fatkeqësi natyrore, kjo është një dështim i hapur i sistemit dhe i atyre që kanë pasur përgjegjësi të parandalojnë pikërisht këto skenarë.
Po, ka reshje të mëdha. Po, moti ekstrem është realitet. Por të fshihemi pas shiut është mashtrim ndaj qytetarëve. Në Kosovë kemi parë me sytë tanë se kanalizimet dështojnë edhe kur bie pak shi. Uji del nga puset, rrugët mbulohen brenda minutave dhe bodrumet përmbyten pa asnjë paralajmërim. Nëse kjo ndodh në kushte normale, atëherë çfarë pritej të ndodhte gjatë reshjeve të forta dhe të pandërprera si tani?
Problemi nuk është se infrastruktura është e vjetër. Problemi është se ajo është ndërtuar keq, me kualitet të dobët, me llogaritje të gabuara dhe shpesh vetëm për të përfunduar një projekt në letër. Kanalizime të projektuar pa kapacitet real, pa marrë parasysh prurjet maksimale, pa menduar për të ardhmen dhe për ndryshimet klimatike. Kjo është papërgjegjësi, jo fat.
Edhe më alarmante është gjendja e shtrateve të lumenjve dhe zonave përreth tyre. Në shumë vende, lumenjtë janë lënë pas dore, të papastruar, të ngushtuar nga ndërtime të pakontrolluara dhe të trajtuar sikur të mos përbëjnë rrezik. Zona që dikur shërbenin si hapësira natyrore për përhapjen e ujit janë betonizuar, janë mbushur me objekte dhe janë shndërruar në bomba me sahat. Kur lumi del nga shtrati, nuk është çudi, është pasojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të gabuara.
Të gjithë e dinë se cilat zona janë të rrezikuara. Të gjithë e dinë se çfarë ndodh kur bie shi i madh. Paralajmërimet meteorologjike vijnë me kohë. Dhe megjithatë, institucionet presin. Presin derisa uji të hyjë në shtëpi, presin derisa dëmi të bëhet, presin derisa qytetarët të mbesin vetëm. Pastaj dalin deklaratat, kërkohet solidaritet dhe flitet për fatkeqësi natyrore.
Solidariteti është i shenjtë, por ai nuk mund të përdoret për të mbuluar dështimet. Qytetarët nuk mund të paguajnë çdo vit çmimin e projekteve të këqija, të kontrollit të dobët dhe të mungesës së llogaridhënies. Nuk është normale që çdo shi i fortë të shndërrohet në krizë kombëtare.
Kjo që po ndodh sot është alarm. Një alarm i fortë që tregon se mënyra se si planifikohet, ndërtohet dhe mbikëqyret infrastruktura në Kosovë ka dështuar. Nëse nuk flasim hapur tani, nëse nuk kërkojmë përgjegjësi reale dhe ndryshim rrënjësor, nesër do të jemi sërish nën ujë, me të njëjtat justifikime dhe me të njëjtat pasoja.
Sot duhet ndihmë për të prekurit. Nesër duhet drejtësi, përgjegjësi dhe veprim. Sepse Kosova nuk po mbytet vetëm nga shiu, po mbytet nga neglizhenca.
Më vjen thellësisht keq për çdo familje, çdo biznes dhe çdo qytetar që sot po përballet me dëme, frikë dhe pasiguri. Humbja e shtëpisë, pronës apo sigurisë personale është plagë e rëndë dhe meriton jo vetëm fjalë, por mbështetje reale, solidaritet të sinqertë dhe veprim konkret nga të gjithë ne.




